I burgosuri në Dubravë ankohet se u përdhunua brenda burgut

Vuajtjes së dënimit iu shtua edhe një keqtrajtim tjetër.

Një i burgosur 25-vjeçar në Qendrën Korrektuese të Dubravës u ankua të hënën para stafit se pak kohë më parë ishte pre e abuzimit seksual.

Sipas tij, ai u dhunua nga një i burgosur tjetër, 12 vjet më i madh.

Viktima, siç është shprehur, kishte frikë ta lajmëronte rastin, që besohet se ndodhi gjatë tetorit. E shkaku i ndjeshmërisë, institucionet nuk dhanë detaje, pos që po punohet për zbardhjen e ngjarjes, që i dyshuari Sh.K. e mohoi, njofton Klan Kosova.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar këtë ndodhi duke thënë se gjatë ekzaminimeve të bëra nga mjeku kujdestar te viktima nuk është vërejtur ndonjë shenjë e dhunës seksuale, por ndaj tij po vazhdojnë trajtimet psikologjike e psikiatrike.