Muriqi vendimtar në fitoren e rëndësishme të Mallorcës në luftë për ekzistencë
Vedat Muriqi ka qenë vendimtar në fitoren shumë të rëndësishme të Mallorcës në luftë për mbetje në La Liga kundër Deportivo Alavesit.
Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës realizoi golin e dytë në fitoren 2:1 të Mallorcës në shtëpi, duke marrë tri pikë shumë të mëdha.
Ishte vetëm minuta e 11-të kur nikoqirët gjetën golin me anë të Prats, me ndihmën e Maffeos.
Në çastet e fundit të kohës shtesë të pjesës së parë, në skenë doli sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi që e “shkundi” rrjetën e mysafirëve me një gol të bukur, duke e shmanguar edhe një kundërshtar.
Krejt çfarë bënë mysafirët në pjesën e dytë ishte autogoli i Raillos në minutën e 73-të, por që ishte i pamjaftueshëm të shmangnin humbjen.
Me këtë fitore, Mallorca largohet nga “zona e kuqe”, duke u pozicionuar në vendin e 16-të me 32 pikë. Shtatë më pak ka Deportivo Alaves që mbyll renditjen tabelore në pozitën e fundit.