Kremlini e quan “huliganizëm” veprimin e protestueses në televizionin rus
Kremlini e cilësoi si “huliganizëm” veprimin e një protestueseje ruse, e cila ndërpreu transmetimin e drejtpërdrejtë të lajmeve në televizionin shtetëror rus.
Marina Ovsyannikova, punonjëse në Kanalin Një, doli papritur pas prezantueses së lajmeve të hënën mbrëma, teksa ajo fliste për planet e Qeverisë ruse për të zbutur efektet e sanksioneve perëndimore.
Ovsyannikova mbante një tabelë në duar, ku shkruante: “Jo luftës, ndalojeni luftën, mos i besoni propagandës! Ata po gënjejnë këtu”.
Ajo është parë dhe dëgjuar për disa sekonda, përpara se televizioni të kalonte në një raport tjetër.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi veprimin e saj si “huliganizëm”.
“Kanali televiziv dhe ata që janë përgjegjës, po e shqyrtojnë këtë [veprim]. Kjo nuk është në agjendën tonë”, tha Peskov.