Demantohet lajmi se Albin Kurti më 1998 kishte thënë “kush e mbështetë Amerikën dhe Rugovën është kundër Kosovës”

Gazetari Enver Robelli ka demantuar lajmin e shpërndarënga Gani Geci se Albin Kurti më 1998 ka thënë se kush e mbështetë Amerikën dhe Rugovën është kundër Kosovës.

Ky lajm më herët u demantua edhe nga korrespodenti i FAZ.

Postimi i tij i plotë:

Rrena e radhës
Me vite të tëra qarqe të ndryshme politike dhe propagandistike në Kosovë përhapnin një “lajm”: Hashim Thaçi ka vjedhur xhinsa (farmerka) në Zvicër. Asnjë dëshmi nuk është ofruar për këtë qe 20 vjet. Por si lajm i rrejshëm ka pasur efekt te njerëzit naivë.
Këto ditë në mediat sociale po përhapet një montazh, një sajesë e radhës: Albin Kurti i paskësh thënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) se kush e mbështet Amerikën dhe Rugovën është kundër Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e paskësh dhënë në fund të viteve 90-të. Si “dëshmi” sillet kinse një kopje e ballinës së gazetës gjermane dhe një foto ku shihen Kurti, një grua e panjohur (ndoshta Doris Pack?) dhe Bujar Dugolli.
Nuk duhet shumë fantazi për ta kuptuar se bëhet fjalë për një lajm të rrejshëm. Së pari: në fund të viteve 90-të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk ka botuar fotografi në ballinë. Së dyti: në fund të viteve 90-të Kurti nuk ka qenë aq i rëndësishëm si politikan, që të zë vend në faqen e parë të një gazete gjermane. Së treti: shkrimi (fonti) i titullit është ndryshe nga shkrimi tradicional i FAZ. Së katërti: manipuluesi i lajmit ka qenë aq amator, saqë në fund të titullit e ka vendosur një pikë. Së pesti dhe si dëshmi përfundimtare: një shikim në arkivin e gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregon qartë se një lajm i tillë nuk ekziston. Në vitin 1999 Kurti është përmendur njëherë nga FAZ, në vitin 2000 dy herë, por në kontekst krejt tjetër.
Kundër lajmit të rrejshëm ka reaguar mbrëmë në Twitter edhe korrespondenti i FAZ për Europën Juglindore, Michael Martens. Ai shkroi se një artikull i tillë nuk është botuar kurrë në FAZ. Pra, kemi të bëjmë me një lajm të rrejshëm.
Në prag të zgjedhjeve do të ishte mirë që në betejën e pistë të mos keqpërdoren mediat e huaja, duke iu imputuar atyre tekste që nuk i kanë shkruar kurrë. Si çdo politikan edhe Albin Kurti duhet t’i nënshtrohet kritikës për veprimet e tij, por metoda si kjo e fundit mund t’u kthehet bumerang sajuesve. Siç është kthyer bumerang me vite të tëra propaganda se Hashim Thaçi paskësh vjedhur xhinsa në Zvicër.