KPK

Haxhiu: Në 2021 u dakorduam me KPK-në për rritjen e numrit të prokurorëve, mbi 100 milionë euro ishin ndarë nga MD-ja

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), që të rritet numri i prokurorëve special në mënyrë që rastet e krimeve të luftës të zbardhen më shpejt.

Haxhiu, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ka thënë se mjetet nga ana e tyre janë ndarë në vitin 2021, por që numri i prokurorëve s’është rritur.

“Në qershor të vitit 2021, ne kemi rënë dakord me Këshillin Prokurorial që numri i prokurorëve special të ngritët, për faktin se në atë kohë kanë qenë 4. Tashmë njëra nga prokurorët ka dalur në pension. Tashmë, ky departament udhëhiqet nga Ilir Morina”, deklaroi ajo.

Ministrja, theksoi se mbi 100 milionë që ishin ndarë për Ministrinë e Drejtësisë, i ishin dedikuar KPK-së.

“Me qëllim që KPK-ja të rekrutojë edhe 5 prokurorë të tjera, gjashtë bashkëpunëtore profesional”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet numri i prokurorëve special, duke e pasur parasysh që ne kemi ndarë mjetet e nevojshme buxhetore por ky numër vazhdon të jetë i vogël”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, ka potencuar se Instituti për Dokumentimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, është në fazën e punësimit të stafit.

“Tashmë, ekziston Instituti për Dokumentimin dhe Hulumtimin e Krimeve të luftës në Kosovë. Tani, instituti është duke u përgatitur për rekrutimin e stafit, me qëllim që të adresohet një prej përgjegjësive kryesore që është hulumtimi dhe dokumentimi i krimeve të luftës”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve