TikTok

Arrestohet personazhi i TikTokut në Pejë, nën dyshimin për video me abuzim seksual

Një prej personazheve të njohura shqiptare të TikTokut, është arrestuar të martën, nën dyshimin për abuzim seksual, pak pasi iu bë virale një video.

Policia e Pejës ka njoftuar për arrestimin duke thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Pasi që kemi vërejtur në rrjetet sociale qarkullimin e një video-incizimit të abuzimit seksual, Stacioni Policor – Klinë menjëherë ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe sot në orët e mëngjesit, kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar. I njëjti pas intervistimit nga hetuesit me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Pejës.

Video për të cilën është arrestuar ky person, është fshirë edhe nga TikToku. Videoja është publikuar të hënën.