Dyshohet se vdekja e nënës dhe foshnjës, nga moskujdesi i mjekëve
Familja Rexhahmetaj nga Isniqi i Deçanit, shpreh dyshimet se Nurije (Batusha) Rexhahmetaj, dhe foshnja e saj Drini, kanë humbur jetën nga mos kujdesi i duhur i mjekëve të Repartit Gjinekologjik në Pejë.
“E tëra duket se jemi viktim i një moskujdesjeje të rëndë profesionale mjeksore pran Spitalit rajonal në Pejë, Reparti i Gjinekologjisë. Lusim Zotin e Madh që qytetarët dhe familjet Kosovare t’i kursen dhe t’i ruan nga rastët e tilla”, thuhet në postimin e familjarit, përkatësisht kunatit, Hajdar Rexhahmetaj.
Në anën tjetër, raportohet se policia i ka nisur hetimet dhe po mbledh prova për shkaqet e vdekjes së gruas dhe foshnjës në Pejë.
41-vjeçarja N. R, nuk kishte arritur të sillte në jetë fëmijën e tretë, pasi ai humbi jetën gjatë lindjes, e pak orë më vonë vdiq edhe ajo.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skënder Dreshaj, ka thënë se i gjithë stafi mjekësor ishte në krye të detyrës dhe nënës i është dhënë gjithë ndihma e nevojshme mjekësore.
Ai ka rrëfyer se foshnja ka humbur jetën për shkak të komplikimeve gjatë lindjes, raporton KTV.
Pasi është konstatuar vdekja e bebes, mjekët janë munduar të shpëtojnë jetën e nënës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për rastin, ku nga spitali janë marrë librat e protokollit dhe, po ashtu, është urdhëruar të bëhet obduksioni për nënën dhe foshnjën.
Por, sipas Prokurorisë, ende është herët të flitet për rastin, pa dalë raporti i mjekësisë ligjore.
N.R. dhe djali i saj janë varrosur pasditen e së martës në fshatin Isniq të Deçanit.