​Veseli bisedë telefonike me Tërnavën e Gjergjin: Besimtarët të rrinë në shtëpi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur sot një bisedë telefonike me kreun e BIK-ut, Naim Tërnavën dhe ipeshkvin Dodë Gjergjin, me të cilët ka folur për situatën në vend me koronavirus.

Veseli ka kërkuar nga Tërnava dhe Gjergji të porosisin besimtarët që të qëndrojnë në shtëpi, si mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e mëtejme të COVID-19, nga i cili në Kosovë deri mbrëmë janë konfirmuar gjithsej 561 raste.

Postimi i plotë:

Sot zhvillova një bisedë telefonike me përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare shqiptare të Kosovës, myftiun Naim Tërnava si dhe ipeshkvin Dodë Gjergjin, në lidhje me këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga koronavirusi.

I falënderova për rolin konstruktiv që kanë luajtur gjatë kësaj situate duke qetësuar njerëzit për të mos krijuar panik si dhe duke pranuar shmangien e ritualeve fetare që dëmtojnë distancën e nevojshme sociale.

Kërkova prej tyre që të vazhdojnë të porosisin besimtarët tanë, për të ndenjur në shtëpi, për t’u kujdesur edhe më shumë për veten, për familjarët e sidomos për të moshuarit, të cilët edhe janë më të rrezikuarit.

Të gjithë së bashku, duke mos e humbur besimin në Zot dhe duke u kujdesur për njeri tjetrin, kemi për t’ia dalë mbanë kësaj sfide.