​Kështu veprojnë gjermanët: Një plan i hollësishëm për të lënë vendin jashtë izolimit

Shkencëtarët kryesorë gjermanë propozojnë që qeveria të ndërmarrë masa për të frenuar përhapjen e koronavirusit, duke përfshirë rihapjen e shkollave, kopshteve, restoranteve dhe dyqaneve dhe heqjen e ndalimit të udhëtimit.

“Ne i propozojmë qeverisë gjermane të hartojë një plan të kthimit gradual në normalitet”, thuhet në listën e rekomandimeve të hartuara nga 26 shkencëtarë nga fusha të ndryshme për Akademinë Kombëtare të Shkencave të Leopoldin.

Parakushti për këtë është mbajtja e numrit të të infektuarve të ri në një “nivel të ulët”, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të mbajë higjienën, distancën e sigurt dhe përdorimin e detyrueshëm të maskave mbrojtëse në transportin publik, thonë shkencëtarët.

Ata gjithashtu këshillojnë “monitorimin sistematik” të përhapjes së infeksionit, përfshirë edhe përmes aplikacioneve.

“Qëllimi është të parashikojmë zhvillimin e epidemisë në një deri në dy javë në mënyrë që ajo të përgjigjet në kohën e duhur.”

Plani i normalizimit të akademisë përfshin gjithashtu heqjen e ndalimeve të udhëtimit, hapjen e dyqaneve dhe zyrave qeveritare.

“Në varësi të mundësisë së ruajtjes së distancës hapësinore dhe intensitetit të kontakteve të pjesëmarrësve, është e mundur që gradualisht të lejohen të zhvillohen ngjarje sociale, kulturore dhe sportive”, theksojnë shkencëtarët, transmeton KosovaPress.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve gjermane pritet të takohen nesër për të konsideruar lehtësimin e masave të rrepta që do të zgjasin deri në fund të javës.

Merkel tha javën e kaluar se mendimi i shkencëtarëve Leopoldin do të luajë një “rol të rëndësishëm” në vendimmarrje.

Ekspertët vlerësojnë masat e qeverisë deri më tani për të ndihmuar ekonominë, por kërkojnë “impulse të mëtejshme fiskale-politike”.

Stimujt e taksave dhe heqja e pjesshme ose e plotë e ndihmës për rindërtim për ish-Gjermaninë Lindore u përmendën si masa të mundshme. Shkencëtarët konkludojnë se pandemia e koronavirusit do të “përcaktojë” jetën ekonomike dhe sociale të vendit për muajt e ardhshëm.