​Haliti: Ka një projekt serb për ta ndarë veriun

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti tha sot se ka disa skenarë serbë që Serbia mund t’i përdorë për ta sulmuar veriun e Kosovës. Haliti tha se rreziku është permanent, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, derisa tregoi tre skenarë të ndryshëm serbë, të cilët do të mund të destabilizonin Ballkanin Perëndimor, përkatësisht Kosovën.

Megjithatë, ai shtoi se beson që Kosova është vendi më i sigurt në Ballkan, pasi që siç tha ai, ‘e ka NATO-n’.

“Rreziku është permanent… Provokimi është që ta bënin ndonjë sulm me emblemat e Kosovës karshi serbëve, e më pas ta paraqitnin në botë se e bënë shqiptarët dhe ata duhet të mbroheshin. Një problem tjetër është çështja e zgjedhjeve në Serbi, dhe problemi i tretë që mund të krijojë një situatë të pakëndshme është Qendra e transformimit të energjisë”, tha ai në emisionin Rubikon në klankosova.

Deputeti Haliti tha se ka një projekt serb, të përgatitur nga shërbimet e specializuara për ta ndarë veriun e Kosovës.

“Këto që po i them janë një projekt serb, të cilin e kanë bërë shërbimet e specializuara për ta ndarë veriun. A do të ndodh kjo, unë nuk e di. Nëse Rusia do të tentojë të destabilizojë Ballkanin, atëherë nuk duhet të jetë e qetë as Italia, as Finlanda, as Suedia. Edhe Brukseli është në shënjestër të raketave të Rusisë… Unë nuk kam dhënë kushedi sa të dhëna, por Serbia do të mundohet të përfitojë gjithmonë nga situata”, tha ai.

Ai u ndal veçanërisht tek zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në prill në Serbi, gjë që ka vënë ndesh qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë për sa i përket votimit të serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Mua më pëlqen mos më i lënë me votu, me iu tregu që Kosova është shtet. Ata mund të shkojnë lirshëm për të votuar Edhe kjo që iu lejohet me votu është në rregull, por vendosja e qendrave të votimit është diçka që s’më ka pëlqyer asnjëherë. Rreziku është permanent. Pse? Ne herën e kaluar iu kemi marrë ato fletëvotimet. Nëse ata organizohen për t’i shpërndarë dhunshëm, do të ketë ballafaqim me Policinë e Kosovës dhe do të ketë situata të pakëndshme. Unë s’po them që do të hyjë në luftë Kosova me Serbinë, por Serbia dëshiron të na paraqet si shtet që nuk i respekton të drejtat”, tha ai.

Haliti theksoi se sipas informatave që ka, NATO ka filluar t’i kthejë në Kosovë disa ushtarë të cilët njëherë janë larguar.