​ATK planifikon ligj për të mbyllur bizneset problematike

Edhe pse Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) është duke bërë një lloj presioni ndaj bizneseve për kryerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit, prapë borxhet ndaj ATK-së janë mjaft të larta, rreth 330 milionë euro, për të cilën shumë ka pasur vërejtje edhe FMN-ja.

Sipas drejtorit të ri të ATK, Ilir Murtezaj, për vetëm dy muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar 1 mijë e 691 gjoba në vlerë totale 1.1 milion euro ndaj bizneseve të cilat nuk kanë respektuar ligjet në fuqi.Murtezaj nuk ka treguar se cilat kompani publike janë borxhlinjtë më të mëdhenj, por merret vesh se Telekomi i Kosovës është borxhliu më i madh në ATK. Si problematikë tjetër mbetet edhe shkalla e lartë e informalitetit rreth 31.7 përqind.

Murtezaj thotë se aktualisht janë rreth 30 mijë tatimpagues që janë të pajisur me arka fiskale, ndërsa çështja e implementimit për lëshimin e kuponëve fiskal është një dukuri e cila përkundër shumë aktiviteteve që zhvillohen në terren nga zyrtarë të ATK-së, edhe veprimet që ndërmerren me gjobitje prapë vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese dhe e pa papranueshme për ATK-në dhe për shoqërinë.

Ai thotë se ATK-ja dëshiron një ligj që ia mundëson mbylljen e bizneseve të pandërgjegjshme që nuk vetëdijesohen me gjoba.Ndërsa, për ankesat e shumta të bizneseve, Murtezaj pranon se ATK nuk ka arritur t’i krijojë të gjitha mundësitë për to.

Murtezaj thotë se në Kosovë janë rreth 88 mijë tatimpagues, ndërsa reforma më e madhe fiskale , sipas tij, do të jetë mbledhja e TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm pas miratimit të ligjit në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës.

Por, sfiduese për ATK mbetet plani i të hyrave për vitin 2019, që është 516 milionë euro ose 16 përqind më shumë se plani i vitit të kaluar. Në dy muajt e parë të këtij viti, ATK ka inkasuar mbi 88 milionë euro.