​Abuzimi i 16-vjeçares në Drenas, Kelmendi: Ka edhe të dyshuar të tjerë

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit policor në Drenas, V.V., deklaroi se për të njëjtin rast dyshohen edhe persona të tjerë.

Këtë deklaratë, Klemendi e bëri pas pyetjes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, që kërkoi të dijë nëse ka edhe persona të tjerë të listuar si të dyshuar dhe se a është njëri prej tyre edhe avokati që e ka lajmëruar rastin.Kelmendi u përgjigj se nuk mund të flas në këtë fazë të hetimeve, por që bëri të ditur se ka të inkriminuar edhe persona të tjerë të institucioneve të tjera. Sipas Kelmendit, gjatë kontrolleve nuk e kanë gjetur telefonin e zyrtarit policor të dyshuar, por vetëm një telefon i cili nuk ka qasje në rrjetet sociale. Ajo tha se kanë bërë kërkesë në Postë që të marrin informacione për vendndodhjen e atij telefoni.

Aida Dërguti pyeti se a kanë qenë prindërit prezent në kohën e intervistimit të të miturës kur ajo kishte raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësit dhe pse gjatë përcjelljes policore kanë qenë dy zyrtarë meshkuj dhe asnjë femër.Kryeshefja e Inspektoratit Policor nuk u përgjigj në këtë pyetje duke thënë se nuk mund të flas pasi që është fazën e hetimeve.

Krejt në fillim, kryeinspektorja e e Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Miradije Kelmendi ka kërkuar që mbledhja të bëhet pa praninë e mediave, por kjo u kundërshtua nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Ai tha që nuk është në rregull që raporti të bëhet i mbyllur për një proces kaq të rëndësishëm dhe se i kërkoi kryeshefes të jap informacione që nuk e dëmtojnë procesin hetimor.E pas një raportimi të shkurtër duke dhënë disa informacione që u vlerësuan që nuk e dëmtojnë procesin e hetimeve nga kryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Haxhi Shala u kërkua që mediat të dalin jashtë./