Zyra Kombëtare e Auditimit pa vërejtje për Universitetin “Isa Boletini”

Në raportin e publikuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”(, si nënprogram i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për financat në vitin 2018, nuk është adresuar asnjë çështje.

Kështu thuhet në një komunikatë për media nga zyra për informim me publikun në Universitetin e Mitrovocës “Isa Boletini”.

Sipas komunikatës, auditori gjatë ekzaminimit të dokumentacionit të prezantuar bazuar në standardet e aplikuara ka dhënë opinion të pamodifikuar me arsyetim se dokumentacioni dhe dosjet e kërkuara janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtimin me kornizën e zbatueshme financiare.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, theksoi se raporti i auditimit që nuk ka dhënë asnjë vërejtje të vetme, tregon për profesionalizmin dhe menaxhimin e suksesshëm në këtë institucion.

Ai vlerësoi përkushtimin e stafit përgjegjës, të cilët kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim.

Ndërsa, drejtori për Financa në UMIB, Besim Kurti, tha se procesi i auditimit është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (SNISA).

“Sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. Dosjet e kërkuara ishin të mjaftuara që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”.

Sipas tij, procesi i auditimit ishte i bazuar në dokumentet që rregullojnë funksionimin financiar në UMIB.

“Në këtë kontekst, objekti i kontrollit ishin planifikimi, menaxhimi, shpenzimet, burimi i të hyrave dhe kontrolli financiar i aktiviteteve të realizuara në të gjitha kategoritë ekonomike. Gjithashtu janë audituar rregulloret e aprovuara, kompensimet etj, për të cilat nuk janë gjetur vërejtje.

Vërejtje nuk janë gjetur as për Strategjinë Zhvillimore për Universitetin e Mitrovicës për vitet 2018-2021, në fushën e buxhetit dhe proceseve të cilat ndërlidhen me planet strategjike të aprovuara nga MASHT”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu tha se auditori nuk kishte vërejtje dhe komente lidhur me planifikimin, përformancën dhe indeksin e realizimit të buxhetit për vitin fiskal 2018.