“Zajednica kalon” edhe nëpër shkrimet amerikane, përkundër fjalëve të Kurtit

“Edhe atëherë ‘Jo Zajednicës’ edhe sot ‘Jo Zajednicës’”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pas pranimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe brenda Marrëveshjes Bazë për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në intervistën e tij të parë pas shumë kohe me një media lokale që nuk ishte RTK-ja, ende ngul këmbë se “Zajednica nuk kalon”.

Asociacioni, tashmë në draftim e sipër, në fjalët e kryeministrit “nuk është Zajednicë”. Mirëpo, “Zajednica”, e cila nga serbishtja përkthehet në “Asociacion ose Bashkësi” ekziston ende në fjalorin e ndërmjetësve dhe mbështetësve të kësaj marrëveshje.

Ambasada amerikane në Beograd i referohet si “ZSO – Zajednica Sprskih Obstina” ndërsa Ambasada amerikane në Prishtinë si “A/ZSO – Asocijaciji/Zajednici srpskom stanovistom na Kosovu”. Në të dyja variantet, si Asociacion të Komunave Serbe dhe Asociacion të Komunave të banuara me shumicë serbe, aty shtypet e zezë mbi të bardhë “Zajednicë”.

Kurti, i cili refuzonte ta frazonte për kohë të gjatë se “Po, ka Asociacion” ndonëse në secilin draft të planit franko-gjerman që shfaqej në media e deri në pranimin e tij në Bruksel, më në fund servoi dozën e realitetit. Megjithatë, “Zajednicë nuk ka”, pretendon ai.

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet me Emisarin Special për Ballkanin Perëndimor, më 31 janar, tek kur Ambasada e ShBA’së kishin thirrur takim me akterët politikë dhe të shoqërisë civile për të nisur bisedimet për Asociacionin, kishin dalur me një Op/Ed të titulluar “The Time for Establishing the ASM is Now” ndërsa në versionin serbisht “Vreme je za osnivanje Asocijacije/Zajednice opština sa većinskim srpskim stanovništvom”. Gjatë tërë tekstit Asociacionit i referohen si “A/ZSO” ku Z-ja qëndron për “Zajednicë”.

Megjithatë, kjo nuk i mjafton Kurtit për të mohuar se ka Zajednicë. Madje, ish-këshilltari i tij dhe filozofi kontraverz Elvis Hoxha, një cicërimë të kryeministrit ku ky i fundit thoshte se Presidenti i Serbisë ia kishte refuzuar “ofertën bujare” për Asociacion, ia kishte përkthyer Asociacionin prej gjuhës angleze në shqip si “shoqatë” me sh të vogël.

Me të përfunduar takimi 12 orësh në Ohër më 18 mars, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, njoftoi se pala kosovare “do të nis menjëherë – dhe kur them menjëherë, them menjëherë – zbatimin e Nenit 7 për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës” në përputhje me marrëveshjet paraprake të dialogut të Brukselit, kjo e cila në mënyrë implicite i referohej Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Tashmë, diskursi ishte tjetër. Madje edhe proponenti kryesor i dialogut, Besnik Bislimi, i cili zotohej publikisht se po qe se do të vinte në tryezë Asociacioni qoftë edhe pa kompetenca ekzekutive do të dorëhiqej nga posti, pranoi se ka Asociacion dhe se si i tillë ajo është pranuar nga qeveria kosovare, shkruan Nacionale.

Megjithatë, Bislimi thotë se kanë garanca se çfarë do të jetë e çfarë nuk do të jetë ajo. Në rend të parë thotë është kushtetutshmëria sipas marrëveshjes së vitit 2015, në rend të dytë është letra e Federica Mogherini (dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili paradoksalisht në Kuvend etikohet si dikush që solli Zajednicën) ku garantohet se Asociacioni nuk do të përbëjë një nivel të tretë ose të ndërmjetëm të pushtetit, si dhe Op/Ed-i i Chollet/Escobar se “A/ZSO”-ja duhet themelohet tani dhe ku vazhdohet të shpjegohet se çfarë do të jetë e çfarë nuk do të jetë ky Asociacion.

Kujtjojmë se termi “Zajednicë” në serbisht ka qenë kaherë më i përdoruri nga Lëvizja Vetëvendosje e kryesisht Albin Kurti; e mbase më ikonikja ishte shpjegimi i tij në një shkrim të botuar nga burgu se Zajednicën e pranon vetëm: serbofili, mazohisti dhe i korruptuari/shantazhuari”.