Kurban Bajrami

Xhaferi për nder të Kurban Bajramit: Solidariteti e fisnikëron shpirtin dhe i jep vlerë jetës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dërgoi një mesazh urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit. Urimi i tij ishte drejtuar kryesisht kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, si dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame.

“Kam kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe myslimane, Kurban Bajrami, dhe të shpreh gëzimin që kjo ditë e shënuar na gjen gjallë dhe shëndoshë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri gjithashtu uroi për mirëqenie dhe paqe, duke përmendur lutjet e haxhilerëve të cilët janë në rrugën e shenjtë të haxhit. Ai inkurajoi të gjithë të punojnë për të siguruar një ambient paqësor dhe të sigurt për ata që janë prekur nga luftërat, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore.

“Kurban Bajrami, le të jetë shkas për tu tubuar rreth gjirit familjar, për të ndarë gëzimet, sukseset, por edhe brengat dhe shqetësimet, sepse familja është bërthama thelbësore dhe qeliza prej të cilës fillon dhe ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, me vlera dhe standarde pozitive. Le të jetë gëzuar dhe për shumë vite festa e Kurban Bajramit”, ka shkruar Kryeministri Xhaferi në urimin deri te kreu i BFI-së, Fetai.