Ushtruesi i ri i detyrës së kryeshefit të “Hidromoravës” i afërt me kryetarin e Gjilanit

Granit Sylejmani është emëruar ushtrues detyre i Kryeshefit të Kompanisë Rajonale të  Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan. 

Emërimi i Sylejmanit u bë pasi që Bordi i kësaj ndërmarrjeje, pas raportimit të Demokracia.com, e shkarkoi ushtruesin e detyrës së kryeshefit të deritashëm, Abdylaziz Selmanin.

Por, Demokracia.com ka mësuar se edhe Sylejmani është i afërt me Vetëvendosjen, parti kjo që qeverisë me Komunën e Gjilanit.

Po ashtu, Demokracia.com ka siguruar një fotografi ku Sylejmani shihet në shoqëri të kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit.

Qeveria Kurti e kishte ndërruar bordin e kësaj kompanie publike sapo kishte ardhur në pushtet, bord ky që më pas e kishte sjell në pozitën e ushtruesit të detyrës Abdylaziz Selmanin, i cili edhe një muaj del në pension.

Megjithatë, para se të dilte në pension, ai kishte hapur një konkurs të kundërligjshëm për pranimin e 4 zyrtarëve të rinj në punë dhe i kishte mbajtur fshehtë deri më sot edhe emrat e kandidatëve, për të cilët Demokracia.com raportoi se shumica e tyre mbajnë mbiemrin Selmani dhe janë familjarë të tij.

Sipas dispozitave ligjore, ushtruesit të detyrës së një ndërmarrjeje publike nuk i lejohet të marrë vendime të tilla, por Selmani nuk e ka përfillur këtë dhe ka shpallur konkurs të jashtëm në KRU “Hidromorava” për disa pozita, përkundër që sipas kryesuesit të bordit ai ishte udhëzuar të hapte konkurs të brendshëm.

Për pakënaqësitë rreth konkursit kishte reaguar edhe Shoqata Sindikale e Pavarur e KRU “Hidromorava”, e cila kishte kërkuar që të anulohej konkursi dhe të emëroheshin në këto pozita njerëz të cilët janë të punësuar në KRU “Hidromorava”, pra kuadro të brendshëm dhe të mos hapej konkurs i jashtëm.

Në një prononcim për Demokracia.com, pas mbledhjes 7-8 orëshe të Bordit të KRU “Hidromoravës”, kryesuesi i këtij bordi, Habil Zeqiri, ka konfirmuar se e kanë shkarkuar ushtruesin e detyrës Abdylaziz Selmani nga pozita e kryeshefit dhe kanë vendosur që ta anulojnë konkursin e shumëpërfolur.

“Granit Sylejmani është emëruar ushtrues detyre i kryeshefit, deri në zgjedhjen e kryeshefit të ri. Ai nesër do ta anulojë zyrtarisht konkursin”, ka thënë mbrëmë Zeqiri për Demokracia.com.

Në muajin qershor të këtij viti, Demokracia.com kishte raportuar për emërimin e Abdylaziz Selmanit në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, i cili kishte edhe procese të hapura gjyqësore në të kaluarën.