Dy vite nga lufta

Ukrainaset në Kosovë kujtojnë ditën kur nisi lufta

Pas një nate të bukur në një koncert filarmonie, Lyudmila Makey u zgjua nga zhurma e avionëve që kalonin mbi dritaret e shtëpisë së saj në Kropivnitski në Ukrainën qendrore.

Rusia kishte filluar të sulmonte Ukrainën në shkallë të plotë.

Tentimi për të kontaktuar vajzën e saj në Kiev – kryeqytetin ukrainas – ishte gjëja e parë që Lyudmila bëri mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022

Por, iu desh të priste tërë ditën që të mund të mësonte se ajo ishte mirë.

“Njëzet e katër shkurti ishte me ngjyrë të zezë, gri dhe të bardhë. Nuk pashë ngjyra të tjera”, thotë Lyudmila në një bisedë me Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, derisa kujton ditën kur Kremlini filloi pushtimin e vendit të saj.

Ngjyrat e ylberit, thotë ajo, u zbehën për ukrainasit atë ditë.

“Doja ta evakuoja vajzën time nga Kievi por nuk e dija si ta bëja, sepse nuk kishim asnjë mundësi. Vetëm në mbrëmje ajo më telefonoi dhe më tha, ‘Nënë, jam mirë, jam gjallë’”, thotë gazetarja ukrainase e strehuar në Kosovë prej prillit të vitit 2022.

Edhe pse nuk e priste të fillonte, për luftën veçse po diskutohej në bisedat me shoqërinë e saj.

“Dëgjova muzikë (më 23 shkurt në filarmoni) dhe ndjeva se ky koncert mund të jetë koncerti i fundit në jetën time. Dhe kujtoj bisedën me kolegët dhe miqtë atë ditë, ‘ndoshta ditën tjetër lufta mund të fillojë’”, thotë Lyudmila.

Një ditë më pas, ajo thotë se ndodhi dita më e tmerrshme e jetës së saj – tmerri që vazhdoi.

“Nuk dinim si të reagonim, ku të fshiheshim, çfarë të bënim”, thotë ajo, derisa tregon se fillimisht ishin larguar në një tjetër qytet për t’u strehuar.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, mori jetët e mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

Presidenti rus Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Aktualisht, mbi 6 milionë njerëz jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës.

Dikur familja e Lyudmilas besonte se lufta e fundit për të cilën do të flisnin ishte Lufta e Dytë Botërore – ku edhe humbi gjyshin e saj.

“Fatkeqësisht e kishim gabim”.

Lufta në Ukrainë e ka thyer familjen e saj, duke i ndarë familjarët në vende të ndryshme. Disa prej tyre u larguan në vende të tjera të Evropës, ndërsa të tjerë qëndruan në Ukrainë.

Me insistimin e njërës vajzë të saj, që jetonte Bratislavë të Sllovakisë, Lyudmila iu bashkua asaj, pak kohë pas nisi lufta.

Atje kishte lexuar për programin për gazetarë rezidentë, vendosi të aplikonte, dhe në prill të 2022-ës arriti në Kosovë.

“Gazetarët në Rezidencë” është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Përmes këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas.

Kosova, po ashtu, është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë.

Në Kosovë, Lyudmilas i janë bashkuar edhe 13 gazetare të tjera ukrainase.

Ato ndjekin kurse të gjuhës angleze në Prishtinë dhe angazhohen në projekte me mediat ukrainase dhe ato evropiane.

Në mesin e tyre edhe Tetiana Kraselnikova nga Kremençuku, po ashtu, në Ukrainën qendrore dhe Iryna Synelnyk nga Çernihivi, qytet në veri të Ukrainës.

“Ende nuk mund të besoj se kjo është e vërtetë, sepse është një situatë e tmerrshme, shpresoj që të përfundojë me fitoren tonë”, thotë Tetiana në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, e cila në Prishtinë është bashkë me djalin e saj nëntëvjeçar.

Një ditë para pushtimit rus, ajo kishte marrë pjesë në një festë me kolegët e saj. Të nesërmen, thotë ajo, kuptuan se ishte bombarduar klinika në të cilën do të operohej babai i saj.

“Ne besuam se ndoshta do të zgjasë një muaj, por nuk ishte e vërtetë. Ne nuk po mund të shohim fundin”, thotë ajo.

Iryna nga Çernihivi, më 24 shkurt 2022, u zgjua nga një telefonatë e motrës së saj, duke i thënë se kishte filluar pushtimi.

“Nuk e besoja fillimisht, si ishte e mundur në qendër të Evropës, në shekullin 21?”, pyet ajo.

“U shqetësova për familjen sepse nuk e dija çfarë do të ndodhte, është e tmerrshme kur nuk e di se çfarë të pret”.

Disa ditë para se të niste lufta, ajo e kishte humbur babanë si pasojë e COVID-19.

“Nuk isha gati, nuk dija çfarë të bëja, jetova gjashtë javë në territor të pushtuar”, thotë ajo.

Edhe Lyudmila, edhe Tetiana, edhe Iryna ndihen të sigurta në Kosovë, por ëndërrojnë të kthehen në shtëpi.

“Jetoj në Prishtinë, por zemra dhe mendja ime janë në Ukrainë. E di kush janë miqtë dhe armiqtë tanë. E di që kam fuqi të jem e dobishme për Ukrainën, por edhe për Kosovën – këtu takova shumë njerëz, shumë të këndshëm, të shoqërueshëm. Ata ishin gati të na ndihmonin, sepse edhe ata e kujtojnë kohën e luftës këtu në vitet 1998-1999”, thotë Lyudmila.

“Kur më pyesin se a e pëlqej Kosovën, unë ju them jo – e dua Kosovën, është shtëpia dhe dashuria ime e dytë. Kështu do të jetë gjithmonë”, thotë ajo.