Agjencia e Informimit dhe Privatësisë

Sogojeva – Dërmaku bën thirrje për kujdes: Kosova është e rrezikuar nga TikTok’u, të dhënat tona mund të keqpërdorën nga Kina

TikTok’u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë, por të dhënat ruhen në Singapor.

Në vitin 2021, TikTok’u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre.

Krenare Sogojeva- Dërmaku, komisionere e Agjencisë së Informimit dhe Privatësisë, në një intervistë për Ballkani.info thotë se kjo Agjenci ka filluar kontaktet me platformën “TikTok” qysh në vitin 2023 me qëllim të plotësimit të disa kritereve të ligjit të të dhënave dhe mbrojtjes së tyre.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi brenda mandatit të saj ligjor dhe autorizimeve që ka, ka filluar një kontakt qysh në vitin 2023 me përfaqësues të TikTok’ut, ku ka qenë takim i parë me zëvendësdrejtorin e parë për Evropë, me qëllim të plotësimit të disa kritereve të ligjit të të dhënave të mbrojtjes së të dhënave e që rezulton me mbrojtjen e qytetarëve tonë nga përdorimi i kësaj platforme. Kërkesë e jona ka qenë përkthimi i ‘Politikave të Privatësisë’ së Tik-Tok’ut në gjuhën shqipe, ngritja e moshës nga 13 në 16 vjeç, përdorimin e biskotave (“cookies”/që i lejojnë faqet e internetit të mbajnë mend hyrjet tuaja). Po ashtu kërkesë e jona ka qenë të caktojmë një zyrtar ndërlidhës që në rastet kur kemi keqpërdorim të të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës, atëherë mund ta kemi direkt pikën e kontaktit në mënyre që të bashkëpunonim dhe të trajtohet çështja, e mos të keqpërdoren këto të dhëna, mos të dëmtohet qytetari”, ka deklaruar Sogojeva-Dermaku.

Kjo Agjenci ka arritur që për një periudhë të shkurtë kohore t’i përkthejnë politikat e privatësisë së “TikTok’ut” në gjuhën shqipe, gjë që nuk e kanë bërë ende vendet si Shqipëria dhe Maqedonia.

“Ne kemi arritur që t’i përkthejmë ‘Politikat e Privatësisë’ në gjuhen shqipe, për çka nuk i kanë përkthyer as Shqipëria e as Maqedonia, e që e kanë obligim ligjor dhe ta ngritim moshën nga 13 në 16 vjeç. Por sa i përket çështjes së zyrtarit ndërlidhës duke qenë se Kosova nuk ka domen të operimit, ne përmes takimeve që i kemi pasur e në bazë të informatave që na janë ofruar nga qendra e TikTok’ut në Evropë, na është thënë se domenin e Kosovës, përkatësisht të dhënat e qytetarëve të Kosovës, që merren përmes kësaj platforme, ruhen në Singapor”, ka thënë ajo.

Sogojeva- Dërmaku ka thënë se qendra e TikTok’ut që gjendet në Singapor, i kontrollon të dhënat e qytetarëve të Kosovës.

Ajo tutje ka shtuar se Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), nuk ka arritur që ta ketë një bashkëpunim direkt apo të ndërhyjë në pranimin e Kosovës si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe nuk mund ta kemi tashmë këtë domen, dhe Kosova e ka të vështirë të ketë një zyrtar ndërlidhës që të përgjigjet direkt.

Sogojeva- Dërmaku: Qytetarët e Kosovës duhet t’i lexojnë “Politikat e Privatësisë”

“Qytetarët e Kosovës duhet që të kujdesën për ruajtjen e të dhënave personale. Ne duhet t’i lexojmë me kujdes ‘Politikat e Privatësisë’, se kujt po ia japim e për çfarë qëllimesh po përdoren ato të dhëna”, ka shtuar Sogojeva- Dërmaku.

Ajo ka deklaruar se Policia e Kosovës ka një njësi kibernetike mirë të trajnuar e që arrin të zbuloj edhe rast e fundit.

“Ne nuk jemi të sigurt në përdorimin e platformës TikTok, por atë që ne po e bëjmë është ngritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve të mos i përdorin këto platforma në kuptimin që mos t’i publikojnë të dhënat e tyre personale, që pastaj do të mund të keqpërdoren nga përdoruesi, duke shkaktuar bullizim e linçim. Policia e Kosovës ka një njësi kibernetike mirë të trajnuar e që arrin të zbuloj edhe rastet e fundit. Zakonisht platformat që operojnë në Kosovë, lajmërohen apo përgjigjen në institucionet e Kosovës, vetëm rastet specifike kur kemi luftën kundër terrorizmit apo për çështje pedofilie e pornografie, e rastet e bullizimit nuk përgjigjen, pasi që këtë kompetencë e ka Policia e Kosovës”.

Se a ka përfitime nga TikTok’u e dimë të gjithë, por Sogojeva- Dermaku, ka treguar se nëse  regjistrohesh me domenin e Kosovës nuk mund të bësh reklamim, mirëpo zakonisht i përdorin domenët e vendeve të tjera. “TikTok’u në Kosovë nuk ka ICOMER (Konsulencë për Sistemet e Informacionit) nuk bën reklamim, pra nëse ti regjistrohesh me domenin e Kosovës nuk mund të bësh reklamim, mirëpo zakonisht i përdorin domenët e vendeve të tjera dhe atëherë ne e kemi të pamundur që të reagojmë apo të bëjmë diçka, sepse përgjegjësia bie tek personi që i përdor ato. E reklamime nuk ka Kosova, këtë na ka thënë zyrtarisht TikTok’u në takimet që i kemi pasur”, ka treguar ajo.

Rrjetet sociale kohëve të fundit jo vetëm që po na marrin kohën, por edhe të dhënat tona, prandaj  Krenare Sogojeva- Dërmaku thekson se ne duhet të jemi të vetëdijshme se çka përdorim.

“Nuk është vetëm platforma TikTok që na merr të dhëna e që po na rrezikon jetën tonë përmes mbledhjes së të dhënave personale. Janë shumë platforma, e sidomos tash të daljes së Inteligjencës Artificiale, që inteligjenca të na kontrollojë. Edhe TikTok’u po mbledhë të dhëna e po i mundëson keqbërësve t’i keqpërdorin ato, prandaj ne duhet të jemi të vetëdijshme se çka përdorim”, ka shtuar Sogojeva- Dermaku.

Ajo ka sqaruar se platformat sociale si Facebook, Instagram e disa të tjera, e dimë se ku po na shkojnë të dhënat, por në TikTok, nuk e kemi, sepse TikTok’u është një bazë e një kompanie kineze e këto të dhëna nuk ruhet vetëm nga një kompani private, por kontrollohet nga një shtet krejt tjetër që mund të ketë interesa që ta dëmtoj vendin tonë.

“Zhvillimi i teknologjisë ka bërë zhvillim në emancipim të shoqërisë, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën, sepse je më afër çdo informacioni që ndodhën në botë, mirëpo mënyra se si e përdorim dhe mendësia jonë si shoqëri se për çka duhet ta përdorim dhe sa rrezikohemi ne tek përdorimi i tepërt. Derisa Facebook-u ka një adresë dhe dihet se ku po shkojnë të dhënat, tek Tik-Tok e kemi edhe s’e kemi, sepse është çështja derisa të dhënat shkojnë në Singapor. Por ne komunikimet i kemi me Evropë, dhe është e vështirë të gjendet se kush e për çka i përdor ato të dhëna. Pra, TikTok’u është një bazë e një kompanie kineze dhe kjo është e rrezikshme sepse nuk ruhet vetëm nga një kompani private, por kontrollohet nga një shtet krejt tjetër, që mund të ketë interesa që ta dëmtoj vendin tonë”, ka deklaruar Sogojeva- Dermaku.

Theksojmë se shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok’u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze. /Ballkani.info/

Intervista e plotë: