S’ndalen privilegjet për burrin e presidentes Osmani, Prindon Sadriut i lejohet kundërligjshëm të punojë në universitetin e EJL-it

Të jesh diplomat, ndër të tjera, do të thotë të jesh vetëm në shërbim të shtetit tënd në vendin pritës ku je i akredituar me mision diplomatik. Mu për këtë një diplomat i kushton shtetit mesatarisht në rreth 5 mijë euro në muaj, përfshirë këtu pagën në afër 3 mijë euro, sigurimin shëndetësor në shtetin pritës, banimin dhe reprezentacionet e ndryshme.

Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, është një prej diplomatëve më të privilegjuar në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.

Përkundër që disa herë i ka shkelur rregulloret e brendshme, Sadriu asnjëherë nuk është ndëshkuar, shkruan Demokracia.com.

Madje, atij tash po i lejohet ta bëjë edhe një punë tjetër në shtetin ku shërben si diplomat, ndonëse kjo është e ndaluar me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

“Zotëriu i Parë”, ashtu siç e quan veten, përveç që është me mision diplomatik në Shkup, ai tani ka filluar të punojë edhe në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).

Të paktën kështu figuron në Facebook-un e tij, shkruan Demokracia.com.

Njoftimin se punon në këtë universitet, Sadriu e ka publikuar në Facebook më 26 shkurt të këtij viti, në kohën sa ishte i ngarkuar me punë të ambasadorit në Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, në këtë universitet punon edhe i propozuari i MPJD-së për Konsull të Përgjithshëm në Nju Jork, Blerim Reka.

Sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm është e ndaluar çdo veprimtari fitimprurëse në shtetin ku shërben një diplomat dhe në këtë rast nuk i lejohet as Prindon Sadriut.

“Të mos ushtrojë në shtetin ose shtetet ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij ose të familjes së tij”, thuhet në nenin 31, pika 1.10 e këtij ligji.

Demokracia.com ka provuar të marrë përgjigje nga MPJD-ja lidhur me këtë angazhim të ri të Sadriut dhe ka kontaktuar edhe universitetin e UEJL-it, por deri më tani nuk kanë kthyer fare përgjigje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prindon Sadriu ia kishte kërkuar shtetit të Kosovës 396 euro si rimburësim të shpenzimeve për Covid-19. Demokracia.com e kishte publikuar edhe kërkesën e tij si dokument zyrtar. Kjo kishte bërë që shumë qytetarë ta shohin gjestin e tij si ‘të pahijshëm’ për shkak të pasurisë që zotëron.

Demokracia.com, po ashtu, kishte raportuar edhe për shpenzimet e naftës së “Zotëriut të Parë”, që i ishin lejuar në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ishte akomoduar atje për shkak të “specifikave familjare dhe atyre të sigurisë”.

Demokracia.com kishte publikuar edhe një kërkesë tjetër të Prindon Sadriut dhe një përgjigje të MPJ-së për aprovimin e shpenzimeve të derivateve për vajtje-ardhjet e tij Prishtinë-Shkup.

Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së përmes një emaili, asokohe i kishte kërkuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte Prindon Sadriut mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.

Sadriu njihet edhe për gjuhën e tij brutale ndaj mediave, pasi që muaj më parë i kishte quajtur mediat e Kosovës edhe si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, për çka reaguan edhe shoqata të njohura të gazetarëve nga bota.

Çuditërisht, ai nuk u ndëshkua asnjëherë nga MPJD-ja, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwarz. /Demokracia.com/