Sulmi në Banjskë

SHBA kreu hetimet për Banjskën, tha Kearns: Çfarë paralajmëruan Osmani dhe Kurti për “urdhrin e Vuçiqit”?

Kryekëput ruse në metodë – me të ashtuquajtur ‘gjelbroshë të vegjël’ në Krime – në Banjskë të Zveçanit shteti kosovar e gjeti veten duke u përballur me një mësymje paraushtarake dhe terroriste serbe; grupacion i cili udhëhiqej nga famëkeqi Milan Radojçiq, njeri i afërt i qeverisë serbe, e në veçanti Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një zyrtar policor kosovar Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në orët e hershme të atij mëngjesi nga formacioni paraushtarak i Radojçiqit, grupacion të cilit poashtu iu vranë tre pjesëtarë nga intervenimi i menjëhershëm i njësiteve më elitare policore; ndërsa pjesa tjetër ia doli të arratisej shumë shpejt për Serbi.

Serbia që atëherë as s’i ka ndjekur penalisht, arrestuar e as mbajtur përgjegjës sulmuesit terroristë të Banjskës, të gjithë prej tyre të evidentuar në emër e mbiemër; dhe të kërkuar tashmë ndërkombëtarisht edhe nga vetë INTERPOL-i.

Hollësitë dhe qëllimet e sulmit janë elaboruar e shterruar; e ku konkluzioni më i madh i autoriteteve kosovare ishte që synohej “Aneksim i tërësishëm i veriut të Kosovës” dhe se sulmi parashikohej të zgjerohej nga 37 pozicione anekënd zonave veriore të vendit.

E para që i kishte paraprirë informacioneve se po transportoheshin armë me ambulanca serbe kishte qenë Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, qysh në qershor të vit të kaluar. Shtatë muaj më pas, Kearns, sot më 2 maj, njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kanë përfunduar hetimin” për sulmin terrorist në Banjskë.

“Kam kërkuar disa herë këtu që qeveria të lëshojë një vlerësim nëse shteti serb ofroi mbështetje strategjike dhe materiale për sulmin në Banjskë. SHBA-ja ka përfunduar një vlerësim se kush është përgjegjës – që e lidhë me qeverinë serbe. Aleatët duhet urgjentisht ta lëshojnë sepse e vërteta ka rëndësi”, deklaroi Kearns hiç më larg se sot.

Para mëse dy muajsh, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar në një intervistë në Radio Evropa e Lirë u pyet saktësisht se a është vendosur lidhja faktike e qeverisë serbe me sulmin në Banjskë; ndërsa përgjigja e tij ishte se “ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative” por se “po e hetojmë atë në tërësi”.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës”.

“Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka thënë Escobar.

Pesidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para mëse katër muajsh në një intervistë në RTV21, e pati dhënë për fakt të kryer se disa shtete aleate veçse “kanë përfunduar hetimet” për Banjskën dhe pati lënë të kuptohet që “shumë shpejtë” edhe do t’i publikojnë.

“Neve na është thanë nga aleatët të presim edhe pak, sepse secili prej tyre i kanë procedurat e tyre të brendshme se kur i bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzioneve. Asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të dalin me konkluzione të tilla, por mos harroni ne jemi Kosova dhe ne i bëjmë vlerësimet tona”.

“Ndërsa këta shtete i vlerësojnë ndryshe edhe kohën kur, ose interesat që kanë rajonale, apo raportet edhe me Kosovën dhe Serbinë. I kanë ata vlerësimet e tyre se kur është momenti i duhur”, pati thënë ndër të tjera Osmani.

Kryefjala e saj konstatuese ishte se: urdhëri është dhënë nga Aleksandar Vuçiq.

Për autoritetet kosovare se hallka e përgjegjësi dhe hierarkisë së sulmuesve zgjatohej deri te Qeveria e Serbisë; dhe për këtë s’e kishin as një mëdyshje. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e jepte si organizatorë “Klanin e Novi Sadit”; e ku ndër ta kryesori, sipas tij, ishte kryeministri i tanishëm serb, Millosh Vuçeviq.

Postimi i plotë i Kurtit për “Klanin e Novi Sadit” që, sipas tij, e kishte organizuar sulmin në Banjskë:

Klani i Novi Sadit

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.