Gjermania

Sinjalet e Qeverisë për kalimin e pronës te Manastiri i Deçanit, Ambasada e Gjermanisë kërkon të kryhet shpejt

Avancimi i dosjes së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës varet jashtëzakonisht shumë nga epilogu që do të marrë çështja e implementimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit. Kështu kanë konfirmuar edhe nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Bottcher, ka thënë për Gazetën Express se zbatimi i shpejt i aktgjykimit të Kushtetueses përmes çdo lloj urdhri apo institucioni është jetik jo vetëm për interesin e Kosovës lidhur me aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës por edhe lidhur me integritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Bottcher ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kontestin pronës mes Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit mund të jetë vetëm një parakush i vështirë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Prandaj, zbatimi i shpejtë i aktgjykimit përmes çdo lloj urdhri apo institucioni është imperativ jo vetëm në interesin e Kosovës në lidhje me aplikimin e saj për anëtarësim, por edhe në lidhje me integritetin e gjykatës së saj kushtetuese. Ky zbatim mund të jetë vetëm një parakusht i vështirë për anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Bottcher.

Ai ka rikujtuar se Gjermnia dhe partnerët e tjerë ndërkombnëtarë të Kosovës kanë kërkuar disa herë radhazi implementimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo kërkesë për respektimin e vetë Kushtetutës së Kosovës duke zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese është ngritur herë pas here nga Gjermania dhe shumë miq dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane ka përmendur edhe raportin e juristëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë kualifikuar si “shkelje të qartë të sundimit të ligjit”, mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat dhe ku kanë kërkuar implementim pa vonesa.

“Moszbatimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Deçanit “është shkelje e qartë e sundimit të ligjit”, siç thuhet në raportin e Juristëve të shquar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të datës 27 nëntor 2023. .Në paragrafët përmbyllës të raportit në fjalë, zbatimi i aktgjykimit “pa vonesa të mëtejshme” është renditur si pika e parë për përmirësimin e gjendjes së sundimit të ligjit në Kosovë”, ka thënë Christian Bottcher.

Në media është raportuar përgjatë këtyre ditëve për çështjen e pronave në Deçan dhe ka marrë vesh nga burimet e saj që tashmë Qeveria e Kosovës në krye me Kurtin ka pranuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e bartë kështu përgjegjësinë tek autoritetet lokale në Deçan.

Kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një përgjigje të shkurtër për Express ditë më parë lidhur me këtë çështje, ka thënë se qëndrimet e tij janë të njohura.

Deri më tani si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal nuk ka pasur vullnet për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar Manastirit të Deçani 24 hektarë tokë dhe pyll, meqë konsiderojnë se kjo tokë u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se s’kanë qenë kurrë të Manastirit.

VIDEO BONUS: ​“250 euro s’mjaftojnë për mbijetesë”, protestojnë punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit të UP-së