Projekti i zgjerimit

Si po mundohet kompania e akuzuar për dallavere të pengojë ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë

Derisa arteria kryesore që e lidh kryeqytetin me rajonin e Llapit, respektivisht kufirin me të ngarkuar tokësor, atë në Merdare, po merr formë çdo ditë e më shumë dhe punimet po ecin përtej dinamikës së paraparë, duket se ka të tillë që synojnë bllokimin e këtij projekti.

Rruga Prishtinë-Podujevë po vazhdon të ndërtohet me ritme të larta, duke shkuar drejt përfundimit edhe para afatit të përcaktuar nga Ministria e Infrastrukturës. Mirëpo, ashtu siç ka thënë zv/ministri i Infrastrukturës, me gjasë kjo po i pengon dikujt, respektivisht një kompanie që e ka humbur rastin për të fituar njërin nga lotet në këtë rrugë.

Madje, kompania “Sallahu” përveç në rrafshin e pengimit institucional të këtij projekti duke bërë padi ndaj zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ajo po “ndihmohet” edhe nga media të caktuara.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Sallahu” ndaj “Vendimit për dhënie të një kontratë ose të një konkursi të projektimit, “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë- Besi – Podujevë, Loti 0,1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5” me numër të prokurimit 205-23-21-5-1-1”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës, pasi paneli shqyrtues i OSHP’së vlerësoi se lënia në fuqi e kontratës në fjalë është në interesin publik.

Këtë e kishte thënë ditë më parë edhe zëvendësministri Durmishi, pasi që njoftoi se është ftuar nga Prokuroria Speciale. Durimishi do të paraqitet sot në Prokurori.

“Ka vendim të OSHP-së për këtë punë që neve na ka dhënë të drejtë si autoritet kontraktues dhe ankesën e kompanisë Sallahu e ka shpallur të pabazuar”, tha Durmishi më 1 maj.

Ankesa 32 faqëshe e kësaj kompanie e dorëzuar në OSHP përmbante 9 pretendime për shkelje në kontratat për katër lote të magjistrales dhe strukturat në lotin 5, në vlerë gati 38 milionë euro.

Kjo ankesë ishte refuzuar si e pabazuar nga OSHP, dhe njëri ndër konstatimet e Panelit Shqyrtues ishte se ankesa është dorëzuar nga një kompani në vend se të dorëzohet në emër të dyja kompanive si grup i operatorit ekonomik, duke mos u konsideruar kështu si palë gjatë aktivitetit të mëtejmë të prokurimit.

Ky nuk ishte i vetmi argumentim kundër.

“Nisur nga pikëpamja e pavarur e tij, paneli mendon se edhe nëse ankesa në rastin konkret do të ishte e plotë në vështrim të dispozitave të cituara, megjithatë nga provat në dispozicion vërehet se në raport me kriteret e dosjes së tenderit, ankuesi nuk e ka provuar se disponon me kapacitetin e pamohueshëm teknik dhe njëherësh i njëjti në raport me ofertuesit e rekomanduar është dukshëm me çmim më i lartë”, thonë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Sipas OSHP-së, Sallahu SHPK dhe Salillari SHPK ka qenë për gati 2.8 milionë euro më e lartë sesa vlera e kompanive që kanë ofertuar dhe fituar tenderët.

Tenderët për pesë lote janë fituar nga 17 kompani të ndryshme që punimet i kryejnë në bashkëpunim me njëra tjetrën.

Kush është kompania Sallahu dhe telashet e vazhdueshme me organet shtetërore?

Kompania “Sallahu” e ka fituar tenderin mbi 8 milionë euro në Prishtinë për ndërtimin e Rrugës A. Mirëpo, kjo kompani do të përballet me organet e drejtësisë. Kjo, pasi që ndaj pronarëve të kësaj kompanie, Lulzim dhe Naim Sallahu, është ngritur aktakuzë.

Vëllezërit nga Kaçaniku akuzohen për falsifikim të dokumenteve për tenderë. Këtu nuk bëhet fjalë për mashtrim në prokurim për Rrugën A.

Ndërtimin e Rrugës A “Jim Xhema” e kishte bllokuar dy herë Gjykata Komerciale, derisa Supremja vendosi për vazhdimin e punimeve.

AVONET, OJQ me seli në Ferizaj, kishte njoftuar se gjatë hulumtimit kishte identifikuar se dokumentacioni (dosja) e ofertës së OE “Sallahu” në aktivitetin e prokurimit të projektit me titullin: “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” tregon qartë se z. Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” Sh.p.k, duke figuruar në listat e pagave dhe deklarimeve vjetore për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe në noterizimin e certifikatës ISO dhe poashtu ai ishte prezent edhe në fillimet e punimeve në këtë rrugë.

“Gjatë hulumtimit të dokumenteve në dosjen e tenderit kemi identifikuar se në dosjen e tenderit ka kontrata të realizuara, referenca të inxhinierëve, udhëheqësit të punishtes, që mbajnë firmën e Naim Sallahut, këto kontrata dhe referenca kanë qenë kërkesa konkrete për të plotësuar kriteret e dosjes së tenderit në këtë aktivitet prokurimi, e që AVONET ka konsideruar dhe konsideron se këto dokumente kanë qenë bazë për të plotësuar kushtin e drejtës (kriterit) për të ofertuar. Gjithashtu, AVONET kishte njoftuar Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga z. Rama se përfaqësuesi i OE “Sallahu” Sh.p.k, z. Lulzim Sallahu ka nënshkruar deklaratën nën betim, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, me anë të këtij deklarimin nën betim të nënshkruar nga drejtori i OE “Sallahu” Sh.p.k, Lulzim Sallahu, AVONET dyshonte dhe dyshon se subjekti në fjalë ka mashtruar Autoritetin Kontraktues në këtë rast Komunën e Prishtinës, duke vënë nën lajthitje dhe mashtrim, e që kjo sipas gjykimit të AVONET dëshmon në mënyrë të qartë se personi në fjalë ka konsumuar elementet veprave penale nga neni 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) dhe nga neni Neni 383 (Deklarimi i rremë nën betim) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në deklaratë.

Gjykata Komerciale e Prishtinës kishte vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Ballkani.info e kishte siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK Drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

Çka përmban aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale?

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në nëntor të vitit të kaluar kundër Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut. Akuza: falsifikim i dokumenteve.

“Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.”, thuhet në aktakuzë.

Lulzim dhe Naim Sallahu në Gjykatë, 10 janar 2024

“SA Sallahu” sh.p.k megjithëse, sipas Prokurorisë Speciale, aplikoi me dokumente të falsifikuara, nuk e fitoi këtë tender, që në shpallje ishte planifikuar si tender i madh prej mbi 17 milionë eurosh, kurse në fund përfundoi duke u fituar nga dy kompani krejt tjera.

Këtë tender, për të cilin është ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut një pjesë e fitoi konzorciumi i kompanive të drejtuara nga “Ekskavatori” me mbi 7.8 milionë euro, kurse pjesën tjetër “Papenburgu” me mbi 6.6 milionë euro.

Historia e “Sallahut” me falsifikim dokumentesh

Në dhjetor të vitit 2020 ishte raportuar hulumtimi për një tender mbi 2 milionë euro në komunën e Vitisë, ku kompania “Sallahu” dyshohej se kishte falsifikuar dokumentet, e futur emra të inxhinierëve, në një rast edhe pa qenë fare ata në dijeni.

I tillë ishte rasti i inxhinierit të gjeodezisë, Selim Berisha. Ai kishte deklaruar atëherë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu” dhe se nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.

“Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”, pati thënë inxhinieri Selim Berisha.

Për të plotësuar kërkesat sipas Dosjes së Tenderit, e cila parashihte angazhimin e dy inxhinierëve të gjeodezisë për përfitimin e kontratës së rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet për përfshirje në shkelje ligjore në bashkëpunim me Fadil Shehun, një inxhinierë të gjeodozisë të punësuar në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”.

Fadil Shehu ishte gjeodet i punësuar në kompaninë rajonale “Ibër-Lepenci”. Ai ishte gjeodet i licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, por licenca e tij është e limituar vetëm për nevojat e “Ibër-Lepencit”.

Megjithatë, Fadil Shehu dhe kompania “Sallahu” Sh.p.k. patën lidhur kontratë mbi vepër për angazhimin e inxhinierit të gjeodozisë për përfitimin e kontratës publike në Komunën e Vitisë.

Në kohën kur “SA Sallahu” sh.p.k po aplikonte për të marrë tenderin e madh “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, për çka Prokuroria Speciale veç ka ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut për falsifikim, ky i fundit veçse kishte një vendim të Gjyqit që ishte shpallur fajtor po për falsifikim.

Rasti për të cilin u dënua Naim Sallahu ishte po për një tender po në Ministrinë e Infrastrukturës, zgjerimi i rrugës Gjurgjicë-Kijevë, ku ai kishte paraqitur dokument të rrem që nuk kishte obligime të pakryera në Administratën Tatimore. Kishte paraqitur edhe që i ka 50 punëtorë, kur i kishte vetëm 29.

Organizata jo-qeveritare AVONET në atë kohë e pati denoncuar këtë kompani në Prokurorinë e Shtetit duke ua dërguar prokurorëve edh evendimin për dënim, me çka sipas Ligjit të Prokurimit i ndalohej pjesëmarrja kësaj firme në tenderë publik për 10 vite, por edhe se si e njëjta firmë po vazhdonte në atë kohë, 2021 kishte aplikuar në dhjetëra tenderë në nivel qendror e nëpër komuna.