Shteti ia mori 11-vjeçaren familjes pas dhunimit të parë

Rasti i 11-vjeçares e cila u dhunua nga pesë persona për shtatë orë natën e 27 gushtit sa shkon e bëhet më tragjik. E mitura ishte keqpërdorur seksualisht nga gjashtë persona të tjerë edhe më 21 qershor të këtij viti. 11-vjeçarja që nga qershori nga përkujdesi familjar kishte kaluar nën përkujdesin e shtetit dhe anasjelltas. Mirëpo, pavarësisht kësaj ajo vazhdoi të mbetej pre e trafikimit e dhunimit seksual.

Mbrëmjen e 21 qershorit 11-vjeçarja ishte raportuar si e zhdukur në Polici nga nëna e saj. Ndërsa, një ditë më pas, datë 22 qershor, ajo ishte gjetur dhe pas intervistimit nga Policia e njëjta ishte dërguar në strehimore dhe kësisoj nga përkujdesi familjar ajo kishte kaluar nën përkujdesjen e shtetit.

Teksa Policia dhe prokuroria ishin vënë në lëvizje që të hetojnë dhe të gjejnë personat përgjegjës për dhunimin e 11-vjeçares, familjarët e saj kishin kërkuar që vajza të kthehej në shtëpi.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, sot në një konferencë për media ka njoftuar se e mitura kishte qëndruar për 29 ditë në strehimore.

Ndërkohë që familjarët ishin zotuar se do të marrin përgjegjësi mbi të miturën, raporton Paparaci.

“E dëmtuara është dërguar në strehimore dhe aty ka qëndruar rreth një muaj. Ndërsa me datën 21 korrik të këtij viti me kërkesë të familjes viktima është liruar nga strehimorja dhe të njëjtit kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre”, tha ajo në konferencën për media.

Mirëpo, pavarësisht garancisë së familjes dhe njohurisë së shtetit, e mitura u dhunua sërish, pas më shumë se një muaji pasi u vendos nën përkujdesin familjar.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka deklaruar se ka informacione se 11-vjeçarja dyshohet të jetë dhunuar e trafikuar që një vit.

“Kemi informacione se 11-vjeçarja, është duke u dhunuar që një vit”, ka thënë Sveçla sot në një konferencë për media.

Ai ka shtuar se institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të mbrojtur viktimën, ndërsa është shprehur i bindur se të gjitha dështimet do të identifikohen dhe përgjegjësit do të penalizohen.

“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur e më pas për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikimin e dhunuesve që fatkeqësisht nuk janë arrestuar të gjithë”, ka shtuar ai.

Si veproi shteti pas dhunimit të 11-vjeçares?

Policia dhe Prokuroria ishin vënë në dijeni për herë të parë për dhunimin e 11-vjeçares pas raportimit të saj si e zhdukur nga nëna e së miturës 21 qershorin e këtij viti.

Laureta Ulaj në konferencën e sotme për media ka zbardhur detajet e hetimeve që pas gjetjes së 11 vjeçares nga e Policisë më 22 qershor.

Ulaj ka bërë të ditur se një ditë pasi 11 vjeçarja ishte gjetur nga e Policisë, është kërkuar të bëhet ekzaminimi fizio-gjinekologjik, por edhe ekzaminimi i ADN-së në trupin e viktimës për shkak të dyshimeve se është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm.

“Më 21 qershor, e mitura ka dalë nga shtëpia rreth orës 08:00 për të cilin rast nëna e saj e ka raportuar si person i zhdukur dhe me të njoftuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur, i njëjti ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore. Të nesërmen në orën 08:22 në stacionin policor të veriut, është gjetur e mitura dhe menjëherë është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe është dërguar në strehimore.”

“Më datë 22 qershor, hetuesit e kësaj drejtorie kanë njoftuar prokurorin e departamentit për të mitur dhe kanë paraqitur kërkesë për ekzaminim fizio-gjinekologjik. Më datë 23 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur urdhëresë për ekzaminim e ADN-së në trupin e viktimës dhe në këtë urdhëresë ka paraqitur që kërkesa është urgjente”, ka thënë Ulaj.

Tutje ajo ka shtuar se më pas është kërkuar që telefoni i viktimës të dërgohet për ekzaminim si dhe të tërhiqen e kamerat e moteleve, veprime këto që kanë dërguar në arrestimin e gjashtë të dyshuarve.

“Më pas është kërkuar që telefoni i viktimës të dërgohet për ekzaminim. Më pas është kërkuar të bëhet ekzaminimi i telefonit më 27 qershor, më 27 qershor është bërë kërkesa për tërheqjen e kamerave të moteleve se ku ka mundur të shkojë viktima. Pas ekzaminimit të telefonit më 1 shtator, është arritur të identifikohen dhe të gjenden personat që janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.

Mirëpo, gjashtë të arrestuarit në shtator të këtij viti nuk janë të vetmit që kanë përfunduar në prangat e Policisë si të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares. Edhe pesë persona të tjerë, tre prej të cilëve të mitur, dyshohet se kanë dhunuar 11 vjeçaren për shtatë orë fund gushtin e këtij viti. Të 11 të arrestuarit tashmë ndodhen në paraburgim.

Lidhur me këtë rast gjashtë ditë më parë dha dorëheqje edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Samedin Mehmeti.

Arsyeja e dorëheqjes së Mehmetit, sipas ministrit Xhelal Sveçla, lidhet me “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, e cila bëri bujë në publik.

Gjithashtu, Ali Gashi, Drejtor i Drejtoratit për Trajtimit e të Burgosurve dhe të Miturve, ka dhënë dorëheqje më 31 gusht nga kjo pozitë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Paparaci ka raportuar se ministri Sveçla, duke përdorur si pretekst dhunimin e 11 vjeçares ka shkarkuar drejtorin e Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci dhe shefin e operativës që ka vepruar po ashtu në kryeqytet, Shkëlzen Xhafa.

Fahredin Verbovci tashmë është zëvendësuar nga nënkoloneli Fehmi Xhata. Kurse, në vend të Shkëlzen Xhafës, pushteti ka emëruar Bekim Bislimin.

Këta dy të fundit siç ka raportuar ekskluzivisht Paparaci bëjnë pjesë në listën prej 40 zyrtarësh policorë që mbajnë pozita menaxhuese të përgatitur nga ministri Sveçla të cilët do të ndërrohen me të tjerë.

Ndërkohë, që ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Për rastin e 11-vjeçares e cila dyshohet se u dhunua për shtatë orë radhazi, qytetarë të shumtë në Prishtinë protestuan më 31 gusht kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Me brohoritjet “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, “Nuk po ndihem e sigurt” “Edhe sa”, qytetarët marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti drejt ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.

Kjo protestë ka vazhduar edhe sot ku është kërkuar nga Qeveria që të filloj shkarkimet e personave të cilët janë marrë më rastin.