Trajneri

Egbo: Do të ishte turp po të mos dija shqip, për mua janë njëjtë Kosova dhe Shqipëria

Sonte i ftuar special në emisionin “Favorit” në T7 është trajneri nigerian, Emmanuel Egbo.

Trajneri i Prishtinës fillimisht foli për Shqipërinë dhe Kosovën, duke treguar se tek të dy këto vende po kalon siç është më së miri.

Egbo rreth mësimit të gjuhës shqipe tha: “Kam 22 vjet në Shqipëri, po të mos dija shqip do të ishte turp. Gjuhën shqipe e mësova në Shqipëri për tre muaj, me një mësues privat. Për mua nuk ishte e vështirë ta mësoja. Tingëllon njësoj si dialektet në Nigeri”.

“Erdha në Shqipëri në viti 2001, mendoja se do të ikja pas një viti. Por, gjeta një mikpritje të mirë. Kam krijuar një miqësi të mirë atje, por edhe në Kosovë. Si Kosova si Shqipëria janë njësoj”, shtoi ish-trajneri i Tiranës.

“Kultura është e njëjtë, jeta familjare… Është njësoj si në kulturën time në Nigeri”, vazhdoi Egbo.

50-vjeçari gjithashtu tha se për të është njëjtë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duke theksuar se “të dy vendet e kanë gjuhën e njëjtë dhe se janë një komb”.