Shqipëria

Shqipëria mbylli me sukses rishikimin e kapitujve të integrimit, çka tani?

Shqipëria ka përmbyllur me sukses të gjithë ekzaminimin analitik të përafrimit të ligjeve me Bashkimin Evropian, një proces i njohur me termin aquis, duke i lënë kështu vend si hap i radhës i integrimit, hapjen më në fund të kapitullit të parë negociues me BE-në.

I gjithë procesi ka zgjatur rreth 14 muaj dhe ka përfshirë mbi 1 mijë ekspertë nga Shqipëria dhe po aq nga Komisioni Evropian, siç saktëson një njoftim i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmbyllja me sukses e kësaj faze fillestare e sjell kështu edhe një hap më tej përpara vendin, për ta përgatitur në procesin e vijueshëm të integrimit.

Tashmë, hapi tjetër mbetet hapja e grupit të parë për çështjet themelore. Një nxitje për angazhim intensiv, me synimin për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Por në çfarë përqendrohet realisht kjo fazë?
Nëse procesi “screening” jep një pasqyrë rreth faktit se sa i përgatitur një vend është për nisjen e negociatave, hapja reale e tyre është një ent më vete.

Përpara se kapitulli i parë negociues të hapet zyrtarisht, vendi kandidati (Shqipëria në këtë rast), duhet të shprehë pozicionimin e saj dhe Bashkimi Evropian duhet të adoptojë një pozicionim të ngjashëm.

Më tej, vijohet sipas planifikimit me hapjen graduale të kapitujve negociues dhe vendosjen e objektivave për arritjen e tyre.

Për shumicën e kapitujve, Bashkimi Evropian do të vendosë disa objektiva rreth realizimit të plotë të kërkesave të një kapitulli të caktuar dhe pa i përmbushur këto objektiva, një kapitull nuk mundet që quhet i përmbushur.

Kështu, mbetet në dorë të shtetit kandidat se sa shpejt avancon në rrugëtimin evropian.

I rëndësishëm është fakti se nëse vendi kandidat nuk përmbush kriteret, atëherë kapitulli i caktuar nuk mund të mbyllet dhe kësisoj, procesi zgjatet ose zvarritet në kohë.

Rast rreth kësaj, tepër konkret, është ai i Serbisë, ku pavarësisht se negociatat kanë nisur prej vitesh, ato kanë ndaluar thuajse tërësisht dhe kanë ngecur në vend si proces.

Ritmi i negociatave varet më pas nga shpejtësia e reformave dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend. Kohëzgjatja e negociatave mund të ndryshojë – fillimi në të njëjtën kohë me një vend tjetër nuk është garanci për të përfunduar në të njëjtën kohë.

Teksa, nëse kapitujt përmbyllen me sukses, atëherë nis edhe faza e mbylljes së negociatave, ku mbyllja individuale e kapitujve pasohet nga traktati për anëtarësim, i cili mbështetet, firmoset dhe ratifikohet nga Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Megjithatë, as në këtë çast një vend nuk quhet plotësisht i anëtarësuar plotësisht në BE, pasi bëhet teknikisht një anëtarësim de facto fillimisht, ku vendi gëzon disa të drejta të lëvizjes së lirë dhe tregjeve të përbashkëta, por pa të drejtë vote. Pra, një vëzhgues aktiv në strukturat e BE-së.

Në fund të traktatit, shënohet edhe një datë për anëtarësimin e një vendi në BE plotësisht (juridikisht) dhe është pikërisht ajo datë e përcaktuar në traktat, ajo e cila respektohet dhe vulos integrimin përfundimtar, nëse është e ratifikuar nga tre strukturat kryesore të Unionit.