Serbia

Bllokuan hakmarrshëm rreth 300 udhëtarë kosovarë, MUP-i i Serbisë me mohim skandaloz: “Veç rritëm kontrollin”

Ministria serbe e Punëve të Brendshme i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare për ndalimin e autobusëve me udhëtarë nga Kosova në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë të mërkurën.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ministri, thuhet se këto “pretendime” janë të pabazuara, teksa ka deklaruar se policia serbe “nuk e ka ndaluar askënd dhe as nuk e ka penguar hyrjen dhe kalimin e qytetarëve që kanë hyrë nga territori i Kosovës”.

“Kontrolli i shtuar i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare është duke vazhduar dhe po kryhen kontrolle të sigurisë për të rritur sigurinë e qytetarëve, gjë që, mund të shkaktojë qëndrim më të gjatë në pikën kufitare”, thuhet në njoftim, raportoi agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”. “Ministria e Punëve të Brendshme thekson edhe një herë se të gjithë qytetarëve nga territori i ‘Krahinës Autonome të Kosovës dhe M.’ u lejohet hyrja e papenguar”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet kosovare kanë njoftuar të mërkurën se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë. Kjo ndodhi vetëm një ditë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

VIDEO BONUS: