“Mirdita, dobar dan”

Selakoviq pretendon se festivali “Mirdita, dobar dan” është “më shumë se provokim”: Qëllimi është ri-vizatimi i identitetit të Kosovës

Pasi Serbia nuk dha leje për mbajtjen e festivalit “Mirdita, dobar dan”, i cili organizohet që nga vitit 2014, në Kosovë dhe në Serbi, Ministri i Kulturës në Serbi, Nikolla Selakoviq, ka thënë se përpjekja për organizimin e festivalit “është më shumë se një provokim” .

“Nuk u mjafton që keqtrajtojnë popullin tonë në Kosovë, që i ngacmojnë, i persekutojnë, i vrasin, por duan të vijnë edhe në kryeqytetin tonë, në festën tonë më të shenjtë dhe na detyrojnë t’i pranojmë dhe le të jemi të gjithë të lumtur”, tha Selakoviq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Ai ka pretenduar se organizimi i festivalit nuk është vetëm një provokim, por diçka që manifeston qëndrimin e elitës shqiptare ndaj asaj që është kultura serbe.

“Duke kujtuar se më shumë se një muaj e gjysmë më parë, Patriarkut Profirio iu ndalua hyrja në Kosovë”, potencoi ai.

Dy ditë më parë, kryetari në detyrë i Beogradit, Aleksandër Shapiq, ka njoftuar se Serbia nuk ka dhënë leje që të mbahet festivali “Mirdita, dobar dan”.

Ai potencoi se është “shprehimisht” kundër mbajtjes së festivalit “Mirdita, dobar dan”, për të cilin propagandoi se prej vitesh “falsifikon dhe ndryshon drejtpërdrejt historinë përmes promovimit e trashëgimisë kulturore të Kosovës, duke përjashtuar faktin që ajo është serbe”.

“Ne si Administratë e Qytetit nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me Qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre. Ftoj gjithashtu Qeverinë e Republikës së Serbisë që të mendojë mirë nëse manifestime të tilla duhet të lejohen në Serbi, sepse ato dëmtojnë drejtpërdrejt rendin tonë kushtetues dhe juridik”, pretendoi ai.

Ndryshe, Festivali “Mirëdita, dobar dan” është një ngjarje e përvitshme që zhvillohet çdo vit që nga viti 2014.

“Mirëdita, dobar dan!” është festivali, siç thuhet në faqen zyrtare të tij, që bashkon artin, kulturën, avokimin dhe debatin publik në një platformë, gjë që e bën atë unik në llojin e tij.

Qëllimi kryesor i festivalit është të prezantojë skenën kulturore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, dhe përmes takimit të përfaqësuesve të shoqërisë kulturore të Kosovës dhe Serbisë, të arrihet një shkëmbim i ideve artistike dhe krijimi i një tradite bashkëpunimi.