Rusia

Rusia i vazhdon mesazhet ndaj Serbisë për Marrëveshjen e Ohrit duke goditur Hill-in: “Fariseizëm i qartë”

Me referenca të pastërta ‘ortodoksie’ ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan Harçenko reagimin ndaj kundërpalës së tij amerikane Christopher Hill e përmbylli me një akuzë për “fariseizëm”.

Kjo në njërën anë si referencë fetare, përkatësisht për mësimet dhe zakonet e farisejve që zakonisht në botëvështrimin tradicional krishter-ortodoks kuptohen si jo-respektim kapital i formave të jashtme të fesë, ose si vështrim i tyre por ama pa besim të njëmend, apo edhe më së shpeshti si “hipokrizi”.

Harçenko, një nga vokalët më të mëdhenj kundër Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit – prej filleve të saj që njihej si plan franko-gjerman – i qëndroi kundërshtimit të saj në reagim ndaj intervistës së fundit të Hill për “NiN” ku artikuloi se ndaj Serbisë pritet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, siç përkthehet në përmbajtjen e Marrëveshjes Bazike: njohje ‘de fakto’; dhe me Nenin 6 që kërkon “marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim” e që kuptohet e nënkuptohet për ‘njohje de jure’.

Hill e ka gjetur veten të kritikuar në katër anët për metodën e tij të artikulimit; në njërën anë brenda Kosovës të cilët kërkojnë nga ai observimin strikt të qëndrimeve amerikane; dhe për të cilat besojnë se ambasadori amerikan nuk po u qëndron besnikërisht, ndërsa në anën tjetër edhe përbrenda vetë Serbisë.

“Vërejtëm që Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ch. Hill, ndërmori mundin që publikisht të veçojë kriteret mbi bazat e të cilave integrimi evropian i Serbisë po mund të avancoka. Kjo, në fakt, vetëm se konfirmon atë çka përgjithësisht dihet: perspektiva e përnjëmendt e disa kandidatëve të caktuar për anëtarësim në BE përcaktohet jo në Evropë, por matanë oqeanit”, shkroi Harçenko në reagim.

Pyetje retorike: Nëse ‘de fakto njohja’ vendoset, gjë që presupozon anëtarësimin e Kosovës në OKB, a mund të ketë atëherë zgjidhje tjetër për Kosovën përpos ‘de jure njohje’? Këtu farisizmi shihet qartë”.

Harçenko në lidhje me Marrëveshjen Bazike ka qenë edhe më kundërshtarë se vetë radikalët e së djahtës ekstreme në Serbi, për çka ka folur panumër herë kundër në mediat serbe, duke paralajmëruar për “kurth” të Perëndimit ndaj Serbisë që i kanoset nga kjo marrëveshje, e cila, sipas tij, “do të jetë veçse njohje e tërthorë drejt njohes de jure”.

“Po ta mendoni, njerëzit zyrtarisht i propozojnë një shteti: ‘njiheni (Kosovën) së paku de facto’. Që kjo është shkelje e të drejtës ndërkombëtare kuptohet, por është gjithashtu edhe shkelje e krejt kuptimit, e gjithçkaje në përgjithësi. Sepse në të gjitha këto ka vetëm një lloj qëndrimi tjetër të rremë: të gjendet ndonjë variant i mashtrimit të secilit me radhë, ta mbyllë këtë rast dhe ta paraqesë si një përparim të pabesueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, thoshte ai para mëse shtatë muajsh në një takim me Vuçiqin

Harçenko, madje duke folur në vetë emër të Vuçiqit, shprehej se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën as ‘de facto’ as ‘de jure’”, teksa propagandonte se vetë edhe “njohja de facto” është “shkelje e paprecedentë e së drejtës ndërkombëtare”.

“Por të gjithë e kuptojmë se kjo nuk do të çojë në gjënë kryesore – zgjidhjen e problemit të serbëve në Kosovë. Kjo është sigurisht gjëja kryesore për Beogradin dhe në përgjithësi, pasi një pjesë e popullsisë nuk ndihet e sigurt dhe nuk ka mundësi të ushtrojë të drejtat e veta”, ka thënë Boçan-Harçenko.

Serbia në raport me Marrëveshjen Bazike – marrëveshje kjo që ia ka amandamentuar Kapitullin 35 të bisedimeve të saj me BE-në – ka mbajtur një qëndrim për kinse “vija të kuqe”: mosnjohje të pavarësisë dhe moslejim të anëtarësimit të Kosovës në OKB.