Profesoresha

Rreziku nga dezinformatat, Hoxhaj: Edukimi medial të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore

Profesoresha universitare, Remzie Shahini Hoxhaj konsideron se edukimi medial duhet të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore në mënyrë që të ngritët vetëdija e gjithë shoqërisë për rëndësinë e informatave faktike.

Në një intervistë për The Geopost, ajo thekson se në këtë mënyrë luftohen dezinformatat dhe Kosova iu bashkohet shteteve perëndimore, të cilat tashmë vec kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

“Edukimi medial nuk duhet parë vetëm si një lëndë, si një aspekt i të mësuarit në shkolla, por edhe mediat duhet të krijojnë programe, shkruajnë artikuj sikurse puna juaj, që të informohet publiku çka duhet dhe çka nuk duhet bërë në procesin e informimit”, thotë ajo mes tjerash.

Si profesoreshë na tregoni çfarë është edukimi medial dhe sa Kosova bën për edukimin medial?

Hoxhaj: Po, edukimi medial nënkupton edukimin për media dhe edukimin me media, d.m.th, përmes mediave. Është një nocion më i komplikuar se sa që do të thoshim fillimisht nënkuptohet për shkak se në edukimin medial hyjnë të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me informimin, mediat, me përdorimin e teknologjisë informative në komunikimin tonë etj. Mirëpo, do të thosha që edukim përmes mediave dhe për mediat është ndoshta përshkrimi më i mirë i mundshëm që e nënkupton përshkrimin e edukimit medial.

Ju thatë që edukim për media, a mjafton ky edukim vetëm për gazetarët dhe njerëzit që punojnë në media? Kemi parë raste konkrete në edukime mediale në shtetet perëndimore ku edukimi medial ka hyrë në shkollat fillore dhe të mesme, po ashtu ka raste edhe në kopshte, ka organe të veçanta për edukim medial.

Hoxhaj: Po, prandaj thashë jo vetë edukimi për mediat, por edhe me media. Kjo nënkupton që edukimi medial nënkupton procesin e pajisjes së njerëzve me informata që kanë të bëjnë rreth komunikimit, përdorimit të teknologjisë, përdorimit të mediave. Besoj që nevoja e cila është shfaqur më së hapuri ka qenë gjatë kohës së pandemisë, kur ne u përballëm me një sistem tjetër të informimit, me një formë tjetër të mësimit, u shfaq nevoja për çështjen e edukimit medial, pse, në atë kohë edhe ne si mësimdhënës, por edhe mësimnxënësit, d.m.th nxënësit tonë, studentët, nuk ishin përballur asnjëherë me një formë të edukimit siç ishte ajo ‘online’, d.m.th formë virtuale e mësimit dhe perceptimit të informatave.

Ajo koha e pandemisë kur ne nuk e kishim lirinë e lëvizjeve, na detyroi që t’i kthejmë shtëpitë tona në dhoma mësimi dhe t’i kthejmë objektet tona në redaksi pune, kështu që edukimi medial nuk është vetëm për mediat dhe gazetarët, por është edhe për pjesën e gjerë të publikut, pra çdokush që është i përfshirë në procesin e komunikimit duhet ta ketë këtë aspektin e edukimit medial sepse ne jemi njëkohësisht edhe prodhues të informative, por edhe recipient, ata të cilët e perceptojmë informatën, kështu që kjo duhet t’i përfshijë të gjitha demografitë, duhet t’i përfshijë të gjitha nivelet, d.m.th sa gazetarët aq edhe publikun, po aq edhe nxënësit, studentët e të tjerë.

Sa është Kosova e edukuar medialisht?

Hoxhaj: Ne si departament i gazetarisë, e kemi parë nevojën për një gjë të tillë që nga viti 2010 dhe ne nga viti 2011 e kemi pjesë të kurrikulës tonë programore edukimin medial, d.m.th studentët tanë pajisen edhe me njohuri për aspektin e edukimit medial, mirëpo jemi munduar që edhe të bëhemi një zë publik, jemi munduar që ta aplikojmë këtë edhe në sferën më të gjerë, jemi munduar që të bisedojmë me institucionet përgjegjëse siç është Ministria e Arsimit, komisionet tjera për arsim në kuadër të Kuvendit që ta fusim çështjen e edukimit medial si pjesë të kurrikulës shkollore.

Besoj në botë është bërë shumë evidente që çrregullimi informativ që ka ndodhur, d.m.th dezinformimi, keqinformimi, propaganda, kanë bërë që te shumë vende të ngritët vetëdija dhe ta fusin çështjen e edukimit medial edhe pjesë të kurrikulës shkollore.

Ashtu si e përmendët edhe ju edhe në shkolla fillore dhe të mesme, bile në vende tjera ka edhe në çerdhe, p.sh e di që kam qenë pjesë e një konference në Bruksel në vitin 2015, e cila është konferencë për lirinë e shprehjes dhe zhvillimin e mediave dhe një profesoreshë e Sorbonës nga Franca pati treguar që me rastin e Charlie Hebdo, atakut në gazetën satirike ‘Charlie Hebdo’ në vitin 2015 në Francë qeveria franceze ka ndërmarrë masa dhe e ka futur pjesë të kurrikulës shkollore edukimin medial dhe nxënësit, fëmijët të mësojnë qysh prej çerdheve.

Për mua ka qenë jashtëzakonisht interesante ta kuptoj pse ata e kanë parë të rrugës ta fusin edukimin medial në çerdhe dhe ajo më shpjegoi që p.sh ata ishin të interesuar t’ju tregojnë fëmijëve të arrijnë të tregojnë se ku është dallimi në mes të një gazetari dhe një blogeri dhe kur e sheh ky është një dallim goxha i rëndësishëm e sidomos në kohën në të cilën ne jetojmë, ku secili mund ta prodhojë një informatë.

Kjo shkon përtej asaj, deri te verifikimi i informatës, sepse një gazetar e ka një redaksi e ka një kryeredaktor dhe ajo informatë kalon nëpër disa filtra, përderisa një bloger, një freelancer, ai e publikon ashtu siç ai mendon se mund të jetë e vërteta, mirëpo shpeshherë ne arrijmë të biem pre e dezinformimit, pikërisht për shkak të shpejtësisë së lajmit në kohën në të cilën ekzistojmë, duke u munduar që ta japim të parët informatën ne shpeshherë përhapim dezinformta, për shkak se nuk i verifikojmë këto informata a janë të sakta apo jo, dhe pikërisht kjo është shumë e rëndësishme t’iu shpjegohet nxënësve dhe fëmijëve, studentëve për shkak se në kohën në të cilën jetojmë, liria e shprehjes është shumë më e lirë sesa që ka qenë në të kaluarën sepse interneti iu ka dhënë zë është atyre që kanë qenë të pazëshëm. Mirëpo, në të njëjtën kohë, interneti është bërë një platformë ku munden edhe budallenjtë të përhapin informatat e tyre, siç ka thënë edhe Umberto Eco.

I përmendët edhe dezinformatat, që janë sfidat më të mëdha të shekullit 21, sa rrezikohet Kosova dhe nga kush rrezikohet në përhapjen e këtyre dezinformatave?

Hoxhaj: Unë mendoj se çështja e edukimit medial kishte me qenë njëra prej zgjidhjeve, njëra prej ta them ashtu, vetëdijësimit të popullatës dhe të publikut të gjerë, por njëkohësisht edhe do t’i pajiste sikurse nxënësit, ashtu edhe publikun me njohuri, të cilat do t’iu kishin hyrë atyre në shërbim për të arritur t’i dallojnë dezinformatat prej informatave faktike.

Pikërisht për këtë, është e rëndësishme që edukimi medial të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore, siç është në të gjitha vendet e rajonit, por edhe në botë. Shpeshherë ne i targetojmë të rinjtë, me i pajis të rinjtë me njohuri, mirëpo harrojmë që e kemi një pjesë të madhe të popullatës që i takon një demografie më të vjetër dhe nuk duhet t’i abstrahojmë, sepse janë pjesë e komunikimit tonë të përditshëm.

Unë kam parë ide dhe projekte se si është zhvilluar edukimi medial në Brazil, që e ka një numër të madh të popullatës dhe ata kanë krijuar programe të veçanta në radio e televizione ku janë marrë gjegjësisht me temën e edukimit medial dhe dezinformimit pikërisht për këtë gjeneratë, për këto mosha.

Ne e dimë se sot të rinjtë janë shumë më të pajisur me njohuri sa i përket mediave dhe teknologjisë sesa që janë të vjetrit, sepse ata kanë kaluar një tjetër periudhë kohore dhe nuk i kanë pasur këto mundësi që i kemi ne. Ata kanë krijuar programe të veçanta, ku i kanë targetuar edhe këto grupmosha, e që tek ne, duket që shumë herë i harrojmë. Prandaj, edukimi medial nuk duhet parë vetëm si një lëndë, si një aspekt i të mësuarit në shkolla, por edhe mediat duhet të krijojnë programe, shkruajnë artikuj sikurse puna juaj, që të informohet publiku çka duhet dhe çka nuk duhet bërë në procesin e informimit.