Kusari-Lila

Rrëshqet keq Kusari-Lila: Mendon se po ndodhë takimi i parë bilateral Kosovë-Kanada

Gëzimi edhe mund të jetë i arsyeshëm, por jo në masë teprie që kapërcen në të pavërteta.

Mimoza Kusari-Lila, Shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, me ç’duket është stërentuziazmuar nga një vizitë në Kanada, për çka shkroi – krejtësisht në shpërputhje me realitetin dhe historinë – se “për herë të parë në historinë e shtetit tonë të ri, u zhvillua një takim bilateral në Kanada (…)”.

Se kjo është një e pavërtetë e pastër, nuk ka të bëjë thjesht me qeveritë paraprake (pjesë e të cilave ka qenë edhe poashtu Kusari-Lila) por edhe me pushtetin aktual; duke qenë se vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me vetë Kryeministrin e Kanadasë në Kanada, Justin Trudean. E me Justin Trudeaun, është takuar edhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe në kuptimin e takimit ministerial të jashtëm – si takimi i sotëm mes Donika Gërvallës Melanie Joly – qysh në vitin 2013 janë zhvilluar takime mes asokohe kryediplomatit Enver Hoxhaj dhe asokohe kryediplomatit John Baird.

Postimi i plotë (i gënjeshtërt) i Kusari-Lilës:

Për herë të parë në historinë e shtetit tonë të ri, u zhvillua një takim bilateral në Kanada midis Ministreve të Punëve të Jashtme të Kanadës dhe Kosovës, Ministres Melanie Joly dhe Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Kanadaja, si një nga mbështetësit dhe miqtë e Kosovës, ka ndihmuar dhe përkrahur Kosovën në të gjitha fazat e zhvillimit të saj si shtet. Prandaj, bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është i natyrshëm dhe i rëndësishëm për forcimin e shtetësisë tonë.

Kjo mbështetje në raportet diplomatike po shprehet në mikpritjen e ngrohtë gjatë kësaj vizite të delegacionit nga Kosova në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa, dhe në gatishmërinë e Qeverisë dhe Parlamentit Kanadez për të thelluar bashkëpunimin në sektorët strategjikë të vendit tonë. Në cilësinë e Kryetares së Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, po shoqëroj Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, gjatë vizitës dyditore në Ottawa.

Dje, u mbajtën takime me Ministren e Jashtme, Melanie Joly, Ministrin për Zhvillim Ndërkombëtar, Ahmed Hussen, Sekretaren Parlamentare për Mbrojtje dhe Siguri, Marie-France Lalonde, dhe dy drejtuesit e Komisioneve Parlamentare të Sigurisë dhe Mbrojtjes, John McKay, dhe Punëve të Jashtme, Peter Boehm.

Sot, takimet vazhdojnë në Parlamentin Kanadez, ku do të takohemi me Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë, znj. Anita Vandenbeld, dhe Sekretarin Parlamentar për Punë të Jashtme, Robert Oliphant.

Kanadaja jo vetëm që ka qenë, por do të vazhdojë të jetë një shtet mik me të cilin ndajmë vlerat dhe parimet demokratike që karakterizojnë një demokraci progresive.