Personeli shëndetësor në trajnim njëditor që të kujdeset për pacientët me COVID-19

Sabrie Ahmeti, kryeinfermiere në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është trajnuar një ditë që të përkujdeset për pacientët me COVID-19. Dhe pastaj, ajo është infektuar në vendin e punës.

“Kemi mbajtur një trajnim njëditor për pandeminë dhe ajo ka qenë se si duhet të vishemi dhe zhvishemi me rrobe mbrojtëse kundër infeksionit. Pastaj na kanë treguar se duhet t’i vendosim dy palë dorëza sterile, maskat adekuate, gjitha këto”, ka deklaruar ajo për “REL”.

Në Klinikën e Neonatologjisë, ajo ka trajtuar foshnje me COVID-19 si dhe ka pasur kontakte edhe me njësi të tjera të QKUK-së, ku trajtohen të infektuarit me koronavirus.

Numri i të infektuarve në mesin e personelit shëndetësor po cilësohet të jetë i lartë dhe një nga arsyet është edhe mungesa adekuate e trajnimit të vetë mjekëve e infermierëve për t’u përballur me pandeminë, thonë profesionistët shëndetësorë.

Deri më 8 shtator, në Kosovë janë infektuar me koronavirusin e ri 557 mjekë, 886 infermierë, 40 farmacistë, 15 teknikë të farmacisë si dhe 21 fizioterapeutë.

Brenda sistemit shëndetësor në Kosovë, pothuajse të gjithë mjekët e infermierët kanë trajtuar pacientë pozitivë me COVID-19.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së mjekëve ka pranuar se ka pasur ankesa nga stafi shëndetësor për mostrajnim dhe se, siç thotë ai, kjo edhe është njëra nga arsyet e numrit të madh të të infektuarve.

“Është bërë përpjekje për një trajnim, por sa ka arritur të realizohet ashtu si duhet, lë për të dëshiruar. Ka pasur ankesa nga personeli shëndetësor nga klinikat që nuk janë të specializuara për pandeminë. Kjo është arsyeja kryesore edhe pse kemi numër të madh të të infektuarve nga personeli mjekësor, e që janë jashtë domenit specifik të luftimit të pandemisë”, ka thënë Sejdiu.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka thënë se kanë kërkuar dhe e kanë parë të domosdoshëm trajnimin se si të reagojnë gjatë kohës së pandemisë.

“Të gjithë punëtorët shëndetësorë janë takuar me të infektuarit, pasi shumë njerëz janë asimptomatikë. Duke kërkuar vizita të natyrave të ndryshme, pacientët kanë infektuar stafin mjekësor. Sindikata ka kërkuar që të mbahen trajnime se si të sillemi gjatë kësaj kohe, pasi që ka qenë virus i panjohur. Mirëpo, është bërë shumë pak përpjekje, e që në vazhdimësi është dashur të mbahen trajnime, të freskohen me dijeni nga vendet të cilat e kanë kaluar valën e pandemisë, por për fat të keq nuk ka ndodhur në Kosovë dhe si pasojë kemi një numër të madh të të infektuarve nga stafi shëndetësor në Kosovë”, është shprehur ai.

Por, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar (SSHKUK), Valbon Krasniqi, njëherësh infektolog, ka thënë se mjekët dhe infermierët që i kanë ardhur në ndihmë Klinikës Infektive për trajtimin e pacientëve me COVID-19, kanë qenë asistentë të stafit të kësaj klinike.

Ai shtoi se nuk ka pasur trajnim specifik për pandeminë me COVID-19, por që Kosova çdo vit ballafaqohet me sëmundje ngjitëse dhe tashmë stafi mjekësor është i trajnuar për sëmundje ngjitëse.

“Roli i trajnimeve nuk diskutohet, por që Kosova është përballur me sëmundje ngjitëse çdo vit dhe se trajnimet nuk kanë munguar. Të punosh në institucion terciar dhe të mos dish të mbrohesh prej infeksionit, nuk ndodh. Mjekët e infermierët e Klinikës Infektive e kanë marrë barrën kryesore, derisa të tjerët kanë qenë si asistentë, ndihmës të tyre gjatë trajtimit të pacientëve me COVID-19. Gjithmonë janë veshur dhe zhveshur nga dy persona me rrobe mbrojtëse, në mënyrë që të sigurohen se nuk po bëjnë gabim”, ka thënë Krasniqi./REL