Vjosa Osmani

Osmani takon Sullivanin: SHBA-ja me rol jetik për paqe dhe siguri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në Facebook se është takuar me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit amerikan, Jake Sullivan, dhe me drejtorin e Lartë për Evropë në Këshilin për Siguri, Michael Carpenter.

Ajo tha se kanë diskutuar mbi rolin e SHBA-së për paqen dhe siguri si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Një takim i rëndësishëm me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, z. Jake Sullivan, dhe Ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, mbi rolin jetik të Shteteve të Bashkuara për paqe dhe siguri të qëndrueshme si dhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit tonë”, është shprehur Osmani të dielën.

Osmani është takuar së fundmi edhe me zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris dhe me liderë të tjerë në kuadër të Samitit për Ukrainën që u mbajt në Zvicër.