“Menjëherë dhe pa kushte”, ShBA shton presionin ndaj Serbisë për lirimin e tre policëve të Kosovës

Departamenti Amerikan i Shtetit ka rishfaqur edhe një herë tjetër angazhimin e tyre në lidhje me çështjen e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia më 14 qershor. DASh ka përsëritur thirrjen për lirimin e tre policëve të Kosovës duke kërkuar “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të policëve”, dhe theksuar rrezikun e përkeqësimit të tensioneve. Në këtë kontekst, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, gjatë një konference online me gazetarë, ka paraqitur dy skenarë të mundshëm, duke shmangur fajësimin e Kosovës, por në njërin Serbinë.

Duke ndjekur zhvillimet dhe mosbindjen e shtetit serb ndaj thirrjeve të mëparshme, Departamenti i Shtetit u kërkoi përsëri presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që të lirojnë “menjëherë dhe pa kushte” policët e rrëmbyer të Policisë së Kosovës. DASh theksoi se arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme ka përkeqësuar më tej një situatë që tashmë është e tensionuar.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre dhe mbajtja për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar. Gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e DASh-it.

Skenarët sipas Escobarit

Rrëmbimin e policëve, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “agresion ndaj shtetit të Kosovës nga Serbia” si dhe kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënonte këtë si “agresion”. Kjo thirrje e tij, megjithatë, nuk pasoi me reagime nga ndonjë qendër e botës.

Por, edhe në atë që ishte “kidnapim” ose “rrëmbim”, së paku deri më tash, janë rezervuar në plotni bahskësia ndërkombëtare (me përjashtim të europarlamentares Viola von Cramon); e madje as KFOR’i si mision paqeruajtës me mandat të Rezolutës 12/44 të vitit 1999 të cilët ruajnë edhe kufijtë e vendit.

ShBA megjithatë, e vetmja, e la të hapur “skenarin” se mund të ketë qenë rrëmbim.

Në një konferencë online me gazetarë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha se ShBA po përmbahet ende nga një deklaratë e plotë mbi këtë situatë, të cilën tha se “jemi duke e përcjellur me vëmendje të madhe”.

Janë “dy skenare”, tha Escobar, që ShBA i sheh në këtë situatë.

Në asnjërën prej tyre nuk fajësoi dikund Kosovën, por në njërën Serbinë.

Escobar u shpreh se ose ata, policët, mund të jenë futur në territor të Serbisë pa dashje dhe pa qëllim, ose ata “mund të jenë rrëmbyer” brenda territorit të Kosovës nga shteti serb.

Kjo, ndryshe nga ç’pretendon Serbia se “ishin thellë në territor të Serbisë”.

“Tani, një gjë – ne po përmbaheni nga dhënia e një deklarate, një deklaratë të plotë, derisa t’i kemi të gjitha faktet, megjithëse për momentin ka dy skenarë të mundshëm. Njëra është se ose janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose kanë kaluar pa dashje kufirin, me ç’rast janë gjetur brenda territorit serb. Në të dyja rastet është shumë e qartë se këta policë nuk kishin ndërmend të ishin në Serbi dhe ata duhet të liroheshin”, tha Escobar.

Në bisedë e sipër me gazetarë, ai do ta përsëriste se ShBA kërkon lirimin e tyre “pa as një kusht të vetëm” ngase, ata policë ose mund të ishin rrëmbyer ose mund të ishin futur në territorin e Serbisë “pa dashjen e tyre”.

Kurti iu “kap” KFOR’it

Me të ndodhur rasti me policët tërë ditën ka kërkuar me ngulm nga KFOR’i të reagojnë – dhe atë “urgjentisht”.

S’bën të heshtet e as të tregohet përulësi, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar KFOR’it nga foltorja e Kuvendit të Kosovës; e në veçanti jo ndaj “një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte”.

Ishte hera e parë që Kurti – kaherë kërkonte prani më të madhe forcash ndërkombëtare në vend – e kishte marrë në emër të përvetshëm misionin paqeruajtës të NATO’s për llogaridhënie. “Janë bërë 30 orë e KFOR’i asgjë”, tha ai t’ju ketë “protestuar” ambasadorëve të QUINT’it.

“Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”, tha ai.

KFOR’i megjithatë u përgjigj, duke mos u përgjigjur.

Por në (mos)përgjigjen e KFOR’it, kishte edhe gjëra që mund të lexoheshin si përgjigje implicite.

Nuk i referohej si “kidnapim” ose “rrëmbim” por vetëm si arrestim.

Por, as edhe një gjë tejet kyçe – nuk thanë që ky arrestim ndodhi as në territor të Kosovës e as në të Serbisë. Këtë pjesë e kaluan heshtazi.

Tjetra gjë që s’e thanë, ishte që ato ishin pjesë e njësive speciale ushtarake “Kobra”. Thanë thjesht Polici e Serbisë.

Në një përgjigje për Nacionalen, KFOR-i u përgjigjën kështu; thënë përmbledhtazi: Nuk ishim aty.

“Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR’i, nuk ishte në atë zonë kur tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga Policia e Serbisë”, tha KFOR’i.

“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”.

Kryeministri Kurti i mëshoi toneve denoncuese ndaj Serbisë për “akt agresioni qyqar dhe tinëzar” për rrëmbimin e tre policëve kufitarë, ndërsa tregoi se në takim me ambasadorët e QUINT’it pati shumëçka për t’ju protestuar. E në veçanti, shtroi pyetjen, çfarë po bënte KFOR’i?

“Akti i këtillë i kësaj policie militare të Serbisë, është në variantin më të mirë, një akt qyqar, e cila pasi kidnapoi tre policë, që kishin mandat të qartë në mbrojtjen e kufirit nga grupet që kontrabandonin mallra përmes rrugëve ilegale, iku me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, pati thënë ai./Nacionale/