Më 1 korrik fillon faza e dytë e uljes së tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor

Më datë 1 korrik do të hyjë në fuqi faza e dytë e uljes së tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) në Shqipëri. Kjo fazë e uljes së tarifave roaming do të zgjasë një vit, ndërsa, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2021, të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit e telefonisë do të paguajnë edhe në roaming tarifa të njëjta me ato kombëtare.

Faza e dytë që fillon pas të mërkurës parashikon uljen e tarifës së thirrjeve hyrëse në nivelin 3 centë për minutë, nga afërsisht 5 centë, që është kufiri tavan aktualisht. Çmimet tavan për shërbimet e tjera do të qëndrojnë të pandryshuara, me përjashtim të korrektimeve të vogla për efekt të kursit të këmbimit. Tarifa maksimale për thirrjet dalëse në roaming, përfshirë TVSH-në, do të jetë 23 centë për minutë, për mesazhet e shkruara rreth 7 centë për njësi, ndërsa për internetin 21 centë për megabyte. Mesazhet e shkruara hyrëse do të vazhdojnë të jenë falas.

Më 1 korrik gjithashtu do të hyjë një fuqi faza e dytë e uljes së tarifave me shumicë për transmetimin e të dhënave në roaming, gjë që mund të krijojë hapësirë për më shumë konkurrencë mes operatorëve në ofrimin e çmimeve edhe më të lira se tavani i miratuar nga AKEP-i, transmeton KOHA.

Përgjithësisht, gjatë vitit të parë operatorët kanë ofruar edhe tarifa më të ulëta të shërbimeve sesa kufijtë maksimalë të miratuar nga AKEP-i, në varësi të paketave dhe planeve tarifore roaming.

Ulja e tarifave roaming nisi në 1 korrik të vitit 2019 , falë një marrëveshjeje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ndërmjetësinë e Komisionit Evropian. Marrëveshja u nënshkrua në prill 2019, në Samitin digjital të Beogradit dhe palë në të janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina. Këto reduktime për roamingun në vendet e Ballkanit Perëndimor erdhën për qytetarët shqiptarë në vijim të reduktimit të tarifave roaming Shqipëri-Kosovë që filluan të zbatohen më datë 15 qershor 2019.

Të dhënat tregojnë për një rritje shumë të madhe të përdorimit të roamingut nga qytetarët e Kosovës në Shqipëri, sidomos për shërbimet e internetit. Ndërsa përdorimi i minutave në roamingun midis dy vendeve është i balancuar, përdorimi i SMS-ve dhe të dhënave ka ndryshime të mëdha. Në vitin 2017 qytetarët e Kosovës përdorën tri herë më shumë SMS dhe 31 herë më shumë data (internet) gjatë roamingut në Shqipëri sesa shtetasit shqiptarë gjatë roamingut në Kosovë.

Në vitet 2017- 2018 sasia e të dhënave të përdorura nga Kosova në roaming në Shqipëri ishte i qëndrueshëm në rreth 80 mijë GB, ndërsa sasia e të dhënave të përdorur nga shfrytëzuesit celularë të Shqipërisë në roaming në Kosovë u rrit me 22%, por përsëri ky nivel është 25 herë më i ulët se roamingu i përdoruesve të Kosovës në Shqipëri.

Të ardhurat me shumicë nga roamingu i tre operatorëve celularë në Shqipëri nga roamingu me Kosovën (të ardhurat që operatorët shqiptarë marrin nga operatorët e Kosovës kur përdoruesit e tyre vizitojnë Shqipërinë) në vitin 2016 ishin rreth 189 mijë euro, ndërsa në vitin 2017 ishin 255 mijë euro. Të ardhurat nga përdorimi i internetit zënë rreth 62% të totalit të këtyre të ardhurave me shumicë. Kostot me shumicë (pagesat që operatorët shqiptarë u kryejnë operatorëve të Kosovës kur përdoruesit celularë shqiptarë vizitojnë Kosovën) ishin rreth 148 mijë euro në vitin 2016, dhe 158 mijë euro në vitin 2017. Të ardhurat neto të operatorëve të Shqipërisë (diferenca të ardhurash me shumicë minus kosto me shumicë) ishin rreth 41 mijë euro në vitin 2016 dhe 97 mijë euro në vitin 2017.

Në vitin 2018 të ardhurat neto me shumicë të tre operatoreve të Shqipërisë nga roamingu me Kosovën ishin rreth 150 mijë euro, apo rreth 50% më shumë se viti 2017.