Nevzad Lutfiu

Mbi 250 shqiptarë në Pazarin e Ri, Lutfiu: Trendi i kthimit në identitet jashtëzakonisht pozitiv, por Serbia po na diskriminon vetëm pse jemi shqiptarë

Shqiptarët në Luginë të Preshevës, por jo vetëm, edhe ata të cilët jetojnë në Pazarin e Ri ose siç të gjithë e njohin Novi Pazar, vazhdimisht ballafaqohen me diskriminim e asimilim në forma të ndryshme nga autoritetet serbe.

Që nga maji i vitit të kaluar Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka një udhëheqje të re.

Nevzad Lutfiu që nga marrja e postit të të parit të Këshillit është angazhuar që të paraqesë të gjitha padrejtësitë që është duke ua bërë Serbia shqiptarëve dhe këtë, siç u shpreh ai, shteti serb po e bën vetëm për shkak të përkatësisë etnike.

Në një intervistë për “Zërin”, Lutfiu ka treguar se shqiptarët janë duke u faktorizuar në Serbi, pasi regjistrimi i fundit i popullsisë atje ka treguar se ka rritje të popullsisë shqiptare dhe kjo ka bërë që shteti serb të tregohet edhe më i ashpër me shqiptarët.

Sipas këtyre të dhënave, vetëm në Pazarin e Ri në Serbi janë mbi 250 shqiptarë, por siç thekson Lutfiu, ka më shumë shqiptarë dhe kjo i obligon të bëjnë edhe një regjistrim tjetër dhe kështu do të mundë ta mësojnë saktë se sa shqiptarë jetojnë në Pazarin e Ri.

Në këtë intervistë dhënë “Zërit”, Lutfiu ka treguar për angazhimet, por edhe për planet, si dhe ka kërkuar mbështetje nga Kosova e Serbia.https://zeri.info/inarticle.html

Ai po ashtu ka theksuar se problemi kryesor i shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbetet pasivizimi i adresave, por që, siç theksoi ai, tashmë ndërkombëtarët janë në dijeni për këtë spastrim që po e bën Serbia dhe shpreson që këtë vit shteti serb do të ballafaqohet me kritika më të ashpra nga ndërkombëtarët për sa u përket të drejtave që po ua mohon shqiptarëve.

Image
Ndërtesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar

Përveç pasivizimit, shqiptarët në Preshevë e Bujanoc po diskriminohen edhe në punësim dhe për pozita që u takojnë shqiptarëve po punësohen serbë nga qytete të tjera të Serbisë.

Gazetarja Valmira Halimi ishte në Bujanoc dhe e realizoi këtë bashkëbisedim. Më poshtë jua sjellim intervistën e plotë:

Zëri: Zotëri Lutfiu, e keni marrë postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në vitin 2023. Fillimisht si e keni gjetur Këshillin, si ka qenë gjendja e institucionit?

Nevzad Luftiu: Unë detyrën e kam marrë më 23 maj të vitit 2023, pas një procesi jo të zakonshëm, për shkak që zgjedhjet e rregullta të Këshillit Kombëtar Shqiptar kanë qenë në nëntor të vitit 2022, për shkak të mosmarrëveshjeve për arritjen e një koalicioni dhe pas skadimit të afatit për një koalicion të ri, ne hymë në procesin e dytë, siç ka qenë pjesa e elektoreve, një proces jashtëzakonisht i vështirë edhe për subjektet politike, edhe për qytetarët. Por më në fund pas përfundimit të elektoreve ne e arritëm një marrëveshje me subjektet politike, PVD-në, PD-në, PDSH-në për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar për katër vjetët e ardhshëm. E përmenda me qëllim këtë periudhë, për shkak që për këta muaj, normalisht shumë procese, shumë punë të Këshillit Kombëtar Shqiptar kanë qenë të parealizuara për shkak të këtij vakuumi dhe normalisht më është dashur një punë e madhe fillimisht për të krijuar një stabilitet të punës të brendshme, pastaj për të vazhduar me planet të cilat ne i kemi realizuar gjatë këtij viti, me që jemi edhe në fund të vitit 2023. Ajo që mund të them është që Këshilli Kombëtar Shqiptar për momentin ka një stabilitet financiar, kemi arritur t’i realizojmë të gjitha ato objektiva të cilat i kemi pasur këtë vit, ndonëse e kemi marrë në mes të vitit. Prandaj mund të them se sot gjendja e Këshillit Kombëtar Shqiptar është më e mirë se në momentin kur e kemi marrë, pa dashur të fajësoj dikë tjetër, për shkak që e mirëkuptoj situatën në të cilën e kam gjetur Këshillin Kombëtar Shqiptar për shkak të këtij vakuumi të cilën e përmenda më herët.

Zëri: Sa për sqarim edhe për lexuesit. Për t’u zgjedhur një kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, e keni bërë marrëveshjen apo është si një lloj rregulloreje që të bëhemi bashkë të gjitha partitë shqiptare, apo si janë procedurat?

Lutfiu: Të gjitha subjektet politike dalin me kandidatët e tyre. Janë zgjedhje me lista të veçanta ku kanë të drejtë vetëm shqiptarët të dalin dhe të votojnë dhe pasi të përfundojë procesi zgjedhor, varësisht prej anëtarëve të Këshillit, sa marrin anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar, krijohen pastaj edhe koalicionet. Për momentin i kemi katër koalicione, katër parti politike që e përbëjnë koalicionin aktual dhe Alternativën për Ndryshim, e cila nuk është pjesë e koalicionit. Që do të thotë, se edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar, fatkeqësisht sikur në institucionet e tjera, kemi pozitë dhe opozitë. Por, ajo që duhet të them është se deri tash e kemi pasur një bashkëpunim shumë korrekt me Alternativën për Ndryshim në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Zëri: Zotëri Lutfiu, e kemi parë që prejse keni ardhur në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar ka pasur goxha ndryshime, ose nëse mund të them të mira që janë bërë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. A është kjo që keni marrë më shumë përkrahje prej Kosovës e Shqipërisë? E kemi parë që së fundmi edhe në Ditën e Alfabetit e keni hapur edhe Zyrën e Këshillit në Pazar të Ri. Si ka qenë ndjenja atje për shqiptarët e Pazarit të Ri dhe si e kanë pritur ata (shqiptarët) hapjen e kësaj zyre?

Nevzad Lutfiu: Ka qenë një moment jashtëzakonisht i mirë. Pra në momentin kur ne e kemi marrë detyrën e kemi krijuar “Javën e Nëntorit” dhe në kuadër të “Javës së Nëntorit” kemi krijuar jashtëzakonisht aktivitete dhe “Javën e Nëntorit” e kemi hapur me hapjen e Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri. Ajo që na ka shtyrë neve ta marrim këtë hap është se edhe në regjistrimin e fundit janë deklaruar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të cilët jetojnë atje dhe jemi të bindur se numri i tyre është edhe më i lartë sesa statistikat të cilat flasin. Për këtë arsye ne e hapëm një zyre atje për shkak se trendi i kthimit në identitet është jashtëzakonisht pozitiv dhe ne përmes kësaj zyre kemi dashur t’ju tregojmë se tashmë ekziston një shtëpi për ta, e cila do të angazhohet vazhdimisht për angazhimin e të drejtave të komunitetit shqiptar në Pazarin e Ri. Ka qenë një moment jashtëzakonisht i mirë dhe përderisa po flasim ne sot këtu, jemi duke u përgatitur ta realizojmë aktivitetin e tretë në Pazarin e Ri e që do të jetë një ekspozitë ku përmes kësaj ekspozite do të paraqesim disa pamje të Pazarit të Vjetër, para shumë viteve ku nëpër qytet e nëpër rrugë të ndryshme të Pazarit të Ri shihen se si një numër shumë i madh i qytetarëve shqiptarë me plis në kokë dhe përmes kësaj ne do t’u bëjmë thirrje njerëzve në Pazarin e Ri që të kthehen në identitet, sepse është shumë e qartë që numri i shqiptarëve në Pazarin e Ri është jashtëzakonisht i madh. Sa u përket aktiviteteve të cilat ju i përmendët, ne jemi munduar që në katër fushat në të cilat është kompetent Këshilli Kombëtar Shqiptar të veprojmë. Prioritet mbi çdo prioritet tjetër e kemi konsideruar arsimin, jemi munduar dhe jemi duke punuar vazhdimisht ta kthejmë shpirtin garues në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës duke i mbështetur, fillimisht duke i shpërblyer nxënësit, të cilët korrin suksese të ndryshme në gara në vend dhe jashtë vendit, gjithashtu edhe profesorët të cilët angazhohen për ta. Një ndër sukseset që dua ta përmend është që falë angazhimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar 15 studentë aktualisht janë duke u shkolluar pa as edhe një cent, edhe akomodimin, edhe shkollimin. Ky ka qenë një sukses jashtëzakonisht i madh. Normalisht edhe aktivitete të tjera në fushën e kulturës përmes së cilave jemi munduar që ta ngjallim jetën kulturore në Luginë të Preshevës.

Zëri: I përmendët statistikat në Pazarin e Ri, a keni numër të saktë sa shqiptarë janë në Pazarin e Ri?

Nevzad Lutfiu: Janë mbi 250 shqiptarë sipas statistikave. Por po e marr një shembull, punëtorja që është tashmë në Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, që është Amina Nuraj, e cila është deklaruar si shqiptare, tregon se në momentin kur ka filluar procesi i regjistrimit, regjistruesit nuk kanë ardhur te familja e saj dhe fqinjët e vet për t’i marrë për t’i regjistruar, që do të thotë se numri i shqiptarëve është jashtëzakonisht më i madh sesa statistikat. Përmes kësaj zyre ne do të fillojmë identifikimin e familjeve atje dhe ta bëjmë edhe ne një regjistrim të ri të popullsisë shqiptare në atë vend.

Zëri: E kemi parë, por e përmendët edhe ju që i keni dhënë shumë më shumë hapësirë arsimit dhe e kemi parë që kanë ardhur edhe profesorë prej Shqipërisë për trajnime të ndryshme për mësimdhënësit këtu në Luginë. Sa është duke ju ndihmuar Qeveria e Shqipërisë apo e gjithë kjo ka qenë falë angazhimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar?

Nevzad Lutfiu: Faktikisht, po flas fillimisht, Shqipëria për këtë vit ka bërë një veprim jashtëzakonisht të mirë duke ndarë një fond të konsiderueshëm për rinovimin e shkollës fillore në fshatin Corroticë të Komunës së Preshevës, pastaj së fundmi Bashkia e Tiranës ndau një fond të konsiderueshëm të mjeteve edhe për ndërtimin e sallës së sportit në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. Normalisht dhe ajo që ne vazhdimisht kërkojmë që prezenca e Shqipërisë në Luginë të Preshevës të jetë shumë më e madhe sesa është për momentin dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Ne për momentin kemi një ambasador të ri të Shqipërisë në Beograd, ku vetëm se kemi filluar bashkëbisedimin dhe nga ajo që kam parë, është se Shqipëria dëshiron ta rrisë personelin e vet në këtë ambasadë, që do të thotë, do të kemi një qasje të re të Ambasadës së Shqipërisë sa i përket gjendjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe unë shpresoj që në vitin 2024 mbështetja e Shqipërisë të jetë shumë më e madhe sesa ishte deri tani.

Zëri: E dimë që ndoshta problemi kryesor, përveç punësimit e gjitha të tjerave me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, është edhe pazivizimi i adresave. Çka ka ndodhur me pronat e atyre personave që u janë pasivizuar adresat?

Nevzad Lutfiu: Ky është një ndër fenomenet më negative i cili është duke ndodhur në Luginë të Preshevës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Si rezultat i këtij fenomeni kanë arritur që shqiptarët t’i defaktorizojnë në komunën e Medvegjës. Pra edhe pse në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 17 dhjetor shqiptarët dolën pothuajse të gjithë për të votuar, edhe pse u maksimalizua vota, prapë rezultati na tregoi se janë defaktorizuar atje shqiptarët. Edhe ky është pastaj problemi që ky fenomen ka filluar dhe është duke u rritur në komunën e Bujanocit, një tendencë e hapur për spastrim etnik. Po e përmendi vetëm një nga pasivizimet e fundit që është jashtëzakonisht shqetësues. Së fundmi i janë pasivizuar adresat një profesori të shkollës së mesme “Sezai Surroi”, i cili ka vendim të përhershëm të punës dhe gruas së tij, e cila është punëtore në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc dhe e cila po ashtu ka vendim të përhershëm të punës. Për këtë rast dhe për rastet e tjera të pasivizimit në momentin kur qytetarët i dërgojnë vendimet e pasivizimeve, ne menjëherë i njoftojmë edhe OSBE-në, edhe Ambasadën e Amerikës. Duket një fenomen, një tendencë shumë e hapur për spastrim etnik. Dhe siç e përmendët jo vetëm me pronat, por do të ketë pastaj shumë problem për shumë çështje të tjera, sepse në momentin kur pasivizohen adresat, normalisht që ata qytetarë faktikisht në njëfarë mënyre sikur përjashtohen komplet nga jeta në këtë vend.

Zëri: E përmendët që keni bashkëpunim me OSBE-në dhe me Ambasadën e Amerikës për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët. Sa kanë arritur ata ta ngrenë zërin në instancat e tjera, për shembull Ambasada e Amerikës të lajmërojë Departamentin e Shtetit për këtë spastrim që është duke e bërë Serbia, sepse e dimë që është në rrugën për anëtarësim për në BE dhe në anën tjetër para të tjerëve shfaqet që ndoshta është proevropiane. Sa kanë arritur ata (ndërkombëtarët, Ambasada Amerikane dhe OSBE-ja), në bazë të asaj çfarë u kanë thënë që e kanë ngritur këtë shqetësimin tuajin dhe këtë të drejtë që është duke e mohuar Serbia ndaj shqiptarëve.

Nevzad Lutfiu: Unë kam realizuar takime edhe me ambasadorin e OSBE-së në Beograd, edhe me ambasadorin Hill, edhe me ambasadorin e BE-së në Beograd, Gjermanisë, Zvicrës dhe normalisht me fakte i kemi njoftuar me të gjitha format e diskriminimit që Serbia ka ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Kemi përmendur që këtu diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit dhe kjo ndodh vetëm për një arsye, për shkak të përkatësisë etnike. Dhe ajo që mund të them është se sidomos Ambasada Amerikane dhe OSBE-ja janë jashtëzakonisht të interesuar të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. OSBE-ja është angazhuar drejtpërdrejt në zbatimin e planit shtatëpikësh, i cili është miratuar në vitin 2013. Vetë e ka paguar një eksperte, e cila është marrë me zbërthimin e atij plani edhe përkundër që tashmë kemi një plan se si do të duhej që qeveritë ta respektonin, vetë e ka nënshkruar dhe përsëri nuk po e zbatojnë planin shtatëpikësh për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Në bashkëbisedim që e kam pasur me ambasadorin Hill, e kam njoftuar dhe ta them të drejtën edhe ai ishte i njoftuar me një pjesë të madhe të ngjarjeve që ndodhin këtu. Bashkë me ambasadorin e OSBE-së e kanë takuar kryeministren Bërnabiq, ku i kanë kërkuar projekte konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ne besojmë se nga janari i këtij viti, pra i vitit 2024, do të kemi disa lëvizje falë këtyre miqve tanë ndërkombëtarë. Por ne do të vazhdojmë t’i njoftojmë vazhdimisht për çdo gjë që ndodh në Luginë të Preshevës.

Zëri: E përmendëm angazhimin e Shqipërisë për këtë vit. Por Kosova sa është duke u angazhuar, duke dhënë kontributin e saj në Këshillin Kombëtar Shqiptar. E dimë që kryeministri Kurti ka edhe këshilltarë prej Luginës, një prej tyre është edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Sa është angazhuar?

Nevzad Lutfiu: Për këtë vit nga buxheti i Republikës së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë paguar tekstet për nxënësit shqiptarë të tri komunave – Bujanoc, Preshevë, Medvegjë për tekstet, një traditë e cila ka vazhduar edhe këtë vit. Ne e kemi mirëpritur dhe e kemi falënderuar Qeverinë e Kosovës për këtë mbështetje të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj nxënësve, por edhe ndaj familjeve shqiptare, duke pasur parasysh se kostoja e një seti të librave nuk është e lirë. Por kjo realisht ka qenë mbështetja që këtë vit e kemi pasur nga Qeveria e Kosovës. Edhe një udhëtim që ka ndodhur i liderëve politikë të Luginës së Preshevës në Strasburg, ku kemi realizuar disa takime të rëndësishme atje me të cilin e kemi sensibilizuar edhe atë pjesë të Evropës me gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e ka financuar Qeveria e Kosovës. Domethënë vetëm kjo pjesë e buxhetit për vitin 2022 ka ardhur në Këshillin Kombëtar Shqiptar është shpërndarë, ndërkohë pjesa tjetër nuk është shpërndarë.

Zëri: Sistemi i mësimdhënies këtu funksionon me planprogram të Serbisë. Si arrijnë që mësimdhënësit të japin mësim, por edhe nxënësit të mësojnë?

Nevzad Lutfiu: Tekstet vijnë nga Shqipëria dhe për të gjitha ato tekste të cilat vijnë prej Shqipërisë e kanë marrë lejen e përdorimit në Serbi prej Ministrisë së Arsimit. Ne sigurisht që edhe pas këtij procesi kemi ankesa për shkak se kemi mospërshtatje ndërmjet planprogramit dhe librave, duke pasur parasysh se sistemet dallojnë në Serbi dhe Shqipëri, por megjithatë është një progres i cili është arritur sa u përket këtyre. Normalisht që ka shumë punë për t’u bërë edhe për këto, kemi ende shumë tekste të cilat mund t’i inkuadrojmë në shkollat shqipe, por ajo që po e ritheksoj është që tekstet vijnë prej Shqipërisë në Luginë të Preshevës përmes shtëpisë së vetme botuese shqiptare në Luginë të Preshevës “Albas” dhe të gjitha ato tekste e kanë marrë lejen e përdorimit për në Serbi.

Zëri: A është ky më shumë lehtësim për mësimdhënësit, por edhe për nxënësit, apo nëse dëshirojnë që nxënësit të vazhdojnë të studiojnë në Serbi, jo në Kosovë ose Shqipëri, ose Maqedoni, a kanë vështirësi më shumë?

Nevzad Lutfiu: Mund të kenë, por duke pasur parasysh se kemi raste shumë të vogla, pothuajse zero, ku nxënësit tanë pas përfundimit të gjimnazit të shkojnë të studiojnë diku në universitetet e Serbisë. Pjesa më e madhe e nxënësve tanë orientohet ose në Maqedoninë e Veriut, Kosovë ose Shqipëri. Për këtë arsye unë mendoj se është një veprim i duhur ajo që e kemi bërë me tekstet e ardhura prej Shqipërisë.

Zëri: E përmendëm çështjen që studiojnë më shumë në Kosovë, por Serbia pavarësisht marrëveshjes ende nuk i njeh diplomat e Kosovës. Në anën tjetër, edhe për punësimet, por edhe shkollimet qytetarët e Luginës duhet t’i ndjekin procedurat e njëjta sikurse të huajt e tjerë që jetojnë në Kosovë.

Nevzad Lutfiu: Sa i përket punësimit dhe çështjeve të tjera, ky është ai problemi që ne e shohim për shkak që, qytetarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të huaj në Kosovë. Unë kam kërkuar prej ministrit të Shëndetësisë që pacientët e Luginës së Preshevës, që jetojnë në Luginë të Preshevës e që hezitojnë të shërohen në institucionet shëndetësore në Serbi, të krijohet mundësia për ta që të shërohen në institucionet shëndetësore në Kosovë. Përgjigjja e ministrit ka qenë se fillimisht do të konsultohet me Zyrën Ligjore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe deri sot që po flasim nuk kemi asnjë përgjigje konkrete. Dhe ky është ai shqetësimi që në momentin kur shkon një pacient i Luginës së Preshevës konsiderohet ose trajtohet si shtetas i huaj, që do të thotë se edhe kostoja e pagesës është e lartë për ta. Ndërkohë sidomos kur ka tension të situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, vazhdimisht ka një hezitim shumë të theksuar të qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët dëshirojnë të shkojnë në institucionet shëndetësore në Serbi.

Zëri: Veçse e përmendët marrëveshjen shtatëpikëshe të vitit 2013 dhe pavarësisht kësaj marrëveshjeje mungon punësimi i shqiptarëve nëpër institucione publike. E kemi Shtëpinë e Shëndetit, gjykatat, faktikisht nëpër të gjitha institucionet publike nuk ka shqiptarë të punësuar. Madje gjatë 2023-shit ka qenë një konkurs në gjykata dhe shtëpi të shëndetit. Çka ka ndodhur me këto konkurse dhe a ka ndonjë shqiptarë të pranuar?

Nevzad Lutfiu: Jo vetëm në Shtëpitë e Shëndetit në Bujanoc dhe Preshevë, ku kemi pasur shpërfillje totale të kuadrove shqiptare. Për shembull, në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc punësojnë kuadro që vijnë nga qytetet e tjera, ndërkohë nuk pranohen kuadrot shqiptare që i plotësojnë të gjitha kushtet e konkurseve dhe nuk pranohen ata (shqiptarët). Në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë një qytet, i cili pothuajse është i gjithi shqiptar, nuk pranohen kuadro që vijnë në qyteti që jetojnë në atë komunë, por pranohen kuadro që vijnë nga qytete të ndryshme të Serbisë, e marrin kuotën e punësimit dhe përsëri kthehen në qytetet e tyre. Rasti i fundit ka qenë në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë, ku është punësuar një gjykatëse nga Vranja, edhe pse për atë pozitë i kanë plotësuar kushtet dhe i kanë kaluar të gjitha rrethet e pranimit dy kandidatë të tjerë shqiptarë që vijnë nga kjo komunë, por nuk janë pranuar. Imagjinojeni asaj (gjykatëses serbe) i duhet 46 kilometra në ditë t’i bëjë për ta mbajtur atë vend të punës. Rasti edhe më tragjik është në Bujanoc, ku është punësuar në Gjykatën për Kundërvajtje në Vranjë, njësia në Bujanoc, është punësuar një gjykatëse nga Surdulica që duhet t’i bëjë 106 kilometra rrugë në ditë për të mbajtur vendin e saj të punës, edhe përkundër asaj që ne kemi pasur kuadro shqiptar që i kanë plotësuar të gjitha kushtet, por që nuk janë pranuar. Kur janë në pyetje shqiptarët, Serbia nuk e respekton as Kushtetutën e vet, nuk i respekton as zotimet që i ka marrë nga procesi i integrimit për në Bashkimin Evropian. Për shembull, ligji për gjykatësit shumë qartë e specifikon që në momentin kur në një komunë ku minoriteti është shumicë atëherë, kandidatët e pakicës duhet të kenë përparësi. Tjetra, gjatë përzgjedhjes së gjykatësve duhet të ketë parasysh që gjykatësit duhet ta njohin terminologjinë juridike të komunitetit të shumicës. Do me thënë, kur janë në pyetje shqiptarët, nuk e respektojnë as kushtetutën e vet, as zotimet që i kanë marrë nga Bashkimi Evropian, ndërkohë kur janë në pyetje të dënohen shqiptarët, atëherë thirren në Kushtetutë dhe ligje të veta.

Zëri: Me 28 Nëntor e keni vendosur flamurin në objektin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Në të kaluarën autoritetet serbe e kanë dënuar këtë veprim. A ka pasur ndonjë gjobë në drejtim tuajin personalisht, por edhe të Këshillit si institucion?

Nevzad Lutfiu: Ende nuk ka ndodhur, por ne jemi në pritje për shkak që është një proces që besoj se me siguri as unë nuk do të përjashtohem, për shkak se në momentin kur e kemi vendosur flamurin kombëtar ne kemi pasur forcat e sigurisë, të cilët e kanë monitoruar këtë proces dhe zakonisht kështu ndodh. Ata marrin shënime për rastin që është duke ndodhur, pastaj ngrihet procedurë gjyqësore dhe normalisht pastaj i shqiptojnë dënimet, dënohet edhe kryetari si person fizik, dënohet edhe institucioni dhe besoj se do të kemi përsëri dënime të tilla ,edhe për mua edhe për ata liderë të tjerë që e kanë vendosur flamurin me rastin e 28 Nëntorit.

Zëri: Zotëri Lutfiu, e dimë që edhe në Kosovë, por sidomos në Luginë është mjaft e dukshme çështja e migrimit. Sa po vërehet ikja, sepse gjallëria vërehet gjatë periudhave të tjera të vitit, jo tash në fundvit e gjatë verës. Ku ka më shumë migrim, nëpër fshatra apo në qytete?

Nevzad Lutfiu: Është niveli jashtëzakonisht i lartë i emigrimit dhe ajo që është edhe më shqetësuese është që tashmë kemi një nivel të migrimit të të gjitha shtresave të shoqërisë. Kemi një numër jashtëzakonisht të madh të qytetarëve, të cilët janë mbi moshën 40-vjeçare dhe që kanë emigruar nga ky vend. Migrimi vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të këtij vendi. Emigrimi është duke ndodhur kudo, por që vendet e vogla me këto komplikimet e veta normalisht që e përjeton më së keqi. Sidomos në komunën e Bujanocit ku për shembull, e kemi një përqindje serbë, romë dhe gjithmonë është ajo frika se mos po e humbim komunën. Statistikat e vitit 2022, tregojnë për një rritje të shqiptarëve në komunën e Bujanocit dhe një rënie të komuniteteve tjera, që normalisht është një gjë e mirë, por që pjesa e migrimit është sfida më e madhe sot e jona si shoqëri.

Zëri: Ka qytetarë nga Kosova që nuk kanë qenë asnjëherë në Luginë, mbase është frika, ose është krijuar ajo ideja, ose stereotipi, ose edhe bindje që ka prezencë të madhe të serbëve, ose diçka e tillë. Çfarë do t’u thoshit qytetarëve të Kosovës që kurrë nuk kanë qenë për vizitë në Luginë të Preshevës?

Nevzad Lutfiu: Kjo është jashtëzakonisht shumë e dhimbshme, sepse qytetarët e Luginës së Preshevës jam i bindur që nuk ka qytet të Kosovës të cilin nuk e kanë vizituar. Nuk ka qytet të Shqipërisë të cilin nuk e kanë vizituar. Ndërkohë, edhe pse jemi vetëm tri komuna në Serbi, shohim shumë pak shqiptarë që na vijnë prej Kosovës dhe prej Shqipërisë, për një qëllim, vetëm për një vizitë dhe kjo është shqetësuese, sepse këtu mikpritja është tipike shqiptare e cila ka ndodhur më herët, prandaj jam i bindur që në momentin që do të vijnë, do të kalojnë shumë mirë. Nuk e di pse ndodh ky hezitim. Madje ndodh në shumicën e rasteve kur shprehin dëshirë që të vijnë, ka një hezitim që të vijnë drejtpërdrejt ta kalojnë edhe kufirin dhe nuk e kuptoj pse kjo frikë ekziston dhe dikush prej mikpritësve duhet të dalë në Gjilan t’i presë në mënyrë që t’i sjellë në Luginë të Preshevës. Çështja e sigurisë këtu është stabile dhe ne nuk kemi probleme mes komuniteteve që jetojnë këtu, dhe ju e dini, keni qenë edhe ju pjesëmarrës, ne i kemi ftuar disa media të Kosovës gjatë verës së vitit 2023 dhe qëllimi jonë kryesor ka qenë që ta njohim shoqërinë shqiptare në Kosovë e Shqipëri edhe me resurset që ka Lugina e Preshevës, edhe me gjendjen politike, në mënyrë që të krijojmë një informacion për ta dhe t’i bëjmë thirrje që ta vizitojnë Luginën e Preshevës dhe të mos ketë hezitim që të vizitohen këto komuna shqiptare.

Zëri: Zotëri Lutfiu, për fund, cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët, por në veçanti për shqiptarët e Luginës për vitin 2024?

Nevzad Lutfiu: Ta vazhdojmë betejën tonë për të drejtat tona. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por, siç thotë edhe Jusuf Gërvalla: “Kjo quhet rruga jonë që po e ndjekim, ku njëri futet në një betejë – quhet rruga e nderit”. E për rrugën e nderit Jusuf Gërvalla thotë se është më e zorshme dhe më e mira. Për këtë arsye, jam i bindur se në fund ne do të triumfojmë për shkak që historikisht, gjithmonë, ka fituar e drejta. Ne po e paguajmë sot atë koston e kësaj rezistence për shkak se ne si komunitet nuk kemi pranuar të tjetërsohemi, nuk kemi pranuar të nënshtrohemi, por normalisht që në fund jam i bindur se do të triumfojmë, por ajo që është shumë e nevojshme, është të vazhdojmë të kemi mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe Shqipërisë, sepse pa këto dyja normalisht që është shumë e vështirë të ruhet substanca kombëtare në një shtet ku diskriminohesh vetëm për shkak të përkatësisë etnike dhe një shtet që po i bën ballë botës për të mos i vendosur sanksione. Duket se është jashtëzakonisht e vështirë, por që jam i bindur se në fund shqiptarët edhe në këtë pjesë do të triumfojnë. I ftoj shqiptarët të vazhdojnë rrugën e qëndresës, rrugën e organizimit për avancimin e të drejtave tona.

BONUS VIDEO: Zgjim Hyseni: Nuk e konsideroi liberalizimin e vizave si meritë e Albin Kurtit