Kylian Mbappe

Mbappe kërkon votë kundër Le Pen në zgjedhje: Situata në Francë, më e rëndësishme sesa ndeshja kundër Austrisë

Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe është ndalur të flasë për trazirat politike në vendin e tij në prag të ndeshjes hapëse në Euro 2024 kundër Austrisë, duke i përshkruar ngjarjet si një moment kyç për historinë franceze.

Pyetjet e zakonshme në lidhje me ndeshjen e sontme në Grupin D ranë në konferencën për shtyp mbrëmë në Dusseldorf, kur Mbappe foli për frikën e tij, duke thënë se situata në Francë “është e tmerrshme”, raporton The Guardian.

“Kjo është një ngjarje e paparë kurrë më parë”, tha Mbappe. “Dhe kjo është arsyeja pse unë dua të flas me të gjithë popullin francez, por edhe me të rinjtë. Ne jemi një brez që mund ta bëjmë ndryshimin. Ne shohim se ekstremet po trokasin në derën e pushtetit dhe ne kemi mundësinë ta formësojmë të ardhmen e vendit tonë”.

Të shtunën, federata franceze e futbollit bëri thirrje që të respektohet neutraliteti i ekipit kombëtar dhe që kombëtarja të mos politizohet pas njoftimit të presidentit Emmanuel Macron një javë më parë për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi ai u mposht në zgjedhjet në Bashkimit Europian nga partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen.

Lëvizja e zhyti Francën në pasiguri politike dhe i ka tronditur tregjet financiar.

Sondazhet e opinionit parashikojnë se partia e Le Pen mund të kryesojë për herë të parë në zgjedhje, por mund të mos ketë një shumicë absolute për të qeverisur e vetme.

Ndërsa hodhi poshtë çdo presion dhe përdorim politik të ekipit kombëtar, federata franceze e futbollit tha se lojtarët janë të lirë t’i shprehnin pikëpamjet e tyre.

Sulmuesi Marcus Thuram u bëri thirrje njerëzve që të “luftojnë çdo ditë” për të parandaluar partinë e Le Pen të fitojë pushtet.

“Unë e ndaj këtë mendim. Unë e ndaj të njëjtin mendim kur fola për diversitetin, tolerancën dhe respektin”, tha Mbappe.

“Kylian Mbappe është kundër pikëpamjeve ekstreme dhe kundër ideve që i ndajnë njerëzit. Unë dua të jem krenar që e përfaqësoj Francën, nuk dua ta përfaqësoj një vend që nuk korrespondon me vlerat e mia, apo vlerat tona”, tha ai.

“Të gjithëve iu intereson. Të gjithë e kuptojnë situatën në Francë. Ka disa njerëz që ndjehen më rehat duke thënë diçka dhe duke folur”, tha 25-vjeçari. “Ne duam t’i mbrojmë të gjithë lojtarët tanë dhe padyshim ta mbrojmë ekipin francez. Por ne kemi menduar për këtë dhe mendoj se do të bëjmë diçka. Kështu që mbajini sytë hapur”, tha ai.

“Njerëzit thonë mos e përzieni futbollin dhe politikën, por këtu po flasim për një situatë që është vërtet e rëndësishme, më e rëndësishme se loja. Situata në vendin tonë është e rëndë dhe ne duhet të veprojmë”, tha Mbappe.

Trajneri Didier Deschamps tha se ai i respekton lojtarët e tij sa i përket pikëpamjeve të tyre politike.
“Është vullneti i tyre i lirë”, tha ai. “Duhet ta pranojmë se ata janë lojtarë të mëdhenj, por edhe qytetarë francezë dhe nuk janë të imunizuar apo indiferentë ndaj situatës në vend”.