Një delegacion i deputetëve gjermanë nga radhët e CSU-së të udhëhequr nga Karl Freller kanë ardhur në Kosovë.
Vizita e tyre nisi në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, e cila njoftoi se ata i priti drejtoresha e OEGJK-së, Nora Hasani dhe zv. ambasadori gjerman, Mattthias Conrad.
“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) bashkë me Ambasadën Gjermane në Prishtinë kanë mirëpritur në takim delegacionin e deputetëve nga radhët e CSU të rajonit të Bavarisë të udhëhequr nga Karl Freller. Vizita e tyre në Kosovë filloi në OEGJK, ku delegacioni u mirëprit nga Nora Hasani, Drejtoreshë Ekzekutive e OEGJK-së bashkë me zv. Ambasadorin Gjerman, Matthias Conrad. Deputetët gjermanë u informuan mbi zhvilimet ekonomike të Repulikës së Kosovës që nga pas lufta e deri më sot, duke vënë theks të veçantë në rritjen e qëndrueshme të investimeve të huaja, e në veçanti ato gjermane, marrë parasysh që investitori më i madh në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë Republika Federale e Gjermanisë”, thuhet në komunikatën e OEGJK-së.
Përveç temave ekonomike, në komunikatë thuhet se “deputetët gjermanë u njoftuan edhe rreth temave aktuale politike, sigurisë së vendit si dhe mundësive për zhvillim dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”.







