I dërguari i BE-së

Lajçak pas Kosovës, viziton Serbinë – pritet të takohet me Vuçiqin

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas qëndrimit në Kosovë, të mërkurën do të udhëtojë për në Serbi, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë njoftuar mediat serbe.

Takimi me Lajçak e Vuçiq do të nis rreth orës 18:00.

Ndryshe të martën, diplomati sllovak ka nisur takimin me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Takimi që ka nisur rreth orës 18:00 është duke vazhduar ende, ndërsa nuk është bërë e ditur arsyeja e vizitës së paparalajmëruar të diplomatit sllovak në Prishtinë, ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta pret në takim, të martën, diplomatin sllovak.

Sipas Këshilltarit për Media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, takimi mes Osmanit dhe Lajçak-ut, nuk do të ndodhë për arsye të agjendës së presidentes.

“Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, ka thënë Kupina për Ekonomia Online.

Lajçak, ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi deri në momentin kur do të nis punën si ambasadori i Unionit në Zvicër.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën serbe me seli në Kosovë, Kosovo Online.

“Më është kërkuar të qëndroj edhe pak në këtë biznes, ndaj puna ime vazhdon”, ka potencuar ai.

Lajçak në prill të këtij viti u emëruar si ambasador i Zvicrës në BE në kuadër të rotacionit të madh vjeshtor në Union. Diplomati sllovak pritet të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 1 shtator.

Në intervistë për Kosovo Online, Lajçak ka njoftuar se në Kosovë do të qëndrojë “për të diskutuar për hapat e ardhshme dhe programin e punës”.

“Fokusi im është zhbllokimi i zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Jam i bindur se Marrëveshja do të zbatohet, por si dhe kur, këto janë pyetje kyçe që vetëm palët mund t’i përgjigjen – sigurisht që do të vazhdoj të punoj deri në fund të mandatit tim për ta realizuar atë”, ka potencuar ai.