Glauk Konjufca

Kushtëzimi i mundshëm anëtarësimit në KiE me Asociacionin “i papranueshëm”, i prerë Konjufca

Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe “do të ishte i pandershëm” dhe “në interes të (fascilituesit të BE-së) Miroslav Lajçak”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Vendosjen e hapave drejt Asociacionit para anëtarësimit – ndonëse kështu vetë thuhet në raportin e Bakoyanis – Konjufca e quan “jo të mirëpritur”, “të papranueshëm” dhe “dëmtim të qëllimshëm të Republikës së Kosovës”.

Konjufca i cili është edhe një nga nënshkruesit e letrës garantuese drejtuar Dora Bakoyanis për zbatimin e kushteteve të përpiluara nga ajo, dy prej të cilave qëndrojnë më së larti – i.e hapa të prekshëm drejt themelimit të Asociacionit dhe adresimin e shqetësimeve për shpronësimet në veri – supozon që Asociacioni është zotim “pas anëtarësimit” dhe jo para.

Kryekuvendari beson se vetëm çështja e 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit ka qenë kushtë nga Bakoyanis – ndryshe nga çka në fakt thuhet në raport – dhe shton se “nëse shtetet tjera duan të vendosin kushte shtesë, mendoj se është e papranueshme, dëmtim i qëllimshëm i Republikës së Kosovës dhe interesit të saj dhe s’është e mirëpritur”.

Aktualisht po them që Kosova do t’i qëndrojë vetëm asaj që e shohim si shkronjë në raportin e zonjës Bakyoannis. Ai s’thotë asgjë për Asociacionin para anëtarësimit, por pas anëtarësimit. KiE ka thënë se do ta formojë një komision monitorues për Kosovën sa u përket hapave të mëtutjeshëm në implementimin e atyre që quhen marrëveshje ekzistuese me Serbinë, ndër të cilat mund të jetë Asociacioni”, ka thënë Konjufca.

Ajo mund ta kishte shkruar se pa asociacion s’mund të pranohemi. Atëherë pse dikush duhet të na ngarkojë me diçka më shumë se që na ka ngarkuar ajo dhe KiE. Kjo do të ishte për interesa të zotit Lajçak, dhe proceseve që ai s’ka mundur t’i përmbyllë e përfundojë e me na qitë në qafë edhe disa kritere shtesë që janë të pandershme”, ka thënë ai.

Pse në fakt nuk është hiç kështu siç e paraqet Konjufca?

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis – nga i cili kryekëput varet githçka në procedimin tutje drejt anëtarësimin në KiE – ajo e shkruan sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se vetë aplikimi i Kosovës, vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb, e cila në marrëveshje është e bazuar në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht të njohur ndryshe edhe si Karta Evropiane për Autonomitë Vendore.

Teksa Bakoyanis thotë se tashmë për këtë institucion ka një draft-Statut “të cilin kryeministri ma konfirmoi se është i gatshëm ta nënshkruajë” ajo një pasazh më poshtë thotë se “themelimi i Asociacionit duhet të jetë lart në konsideratën në ardhje të Komitetit të Ministrave rreth aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Nuk ka nevojë të thuhet”, shkruan Dora Bakoyanis në raportin e saj, “që themelimi i Asociacionit do të peshojë rëndë në hartimin e rrugës evropiane për Kosovën”.

Është thënë jozyrtarisht – dhe thuajse është bërë për fakt të kryer – se në votimin final në Komitetin e Ministrave pritet që votimi për ose kundër anëtarësimit të Kosovës do të varet nëse do të ketë proces të nisur të themelimit të Asociacionit, përkatësisht të jetë kryer hapi i parë i miratimit të draft-Statutit të Asociacionit dhe dërgimi i saj për vlerësim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.