Italia

Kurti takon parlamentarët italianë, kërkon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës së sotme, deputetë nga Grupi Parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë, Emanuele Loperfido dhe Lia Quartapelle Procopio.

Përgjatë bisedës, siç njofton Zyra e Kryeministrit kryeministri theksoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona dhe i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës, duke përmendur dhe fushën e sigurisë ku Italia ka pjesëmarrje të lartë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, që tregon për përkushtimin e qëndrueshëm ndaj sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.

Më tej, ai i njoftoi deputetët me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë të dëshmuar edhe nga rankimet ndërkombëtare, e po ashtu veçoi programin e qeverisë, sidomos politikat e ndërmarra për zhvillim të qëndrueshëm, shpërndarje të barabartë e barazi sociale.

Duke folur për integrimin e komuniteteve pakicë, kryeministri theksoi kornizën e avancuar ligjore të Kosovës dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e vendit tonë, që shkojnë edhe përtej standardeve evropiane, të drejta këto të njohura e konstatuara edhe nga raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës.

Nga parlamentarët italianë kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mbështetje është afirmim i vlerave të Këshillit të Evropës dhe njohje e progresit demokratik të shtetit tonë.