Kryeministri Albin Kurti e mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit për të folur për ligjin e ri për Gjykatën Speciale në Hagë.
Në fillim të fjalës së tij, ai tha se dëshiron t’i thotë “disa gjëra të rëndësishme” lidhur me këtë “çështje jetike për të ardhmen tonë, por edhe për vetë shtetësinë e Republikës aktualisht”.
Si kryeministër, Kurti tha se nuk ka ndryshuar “fare qëndrim” për Gjykatën Speciale.
“Natyrisht që duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj gjykate speciale, siç njihet në poupllin tonë”, tha ai.
Kurti tha se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” si term i përdorur nga trupi gjykues në dënimin në shkallë të parë të ish-krerëve të UÇK-së duhet të trajtohet në Apel.
“Ne jemi të bindur që korrigjimi i aktgjykimit nga 16 shtatori 2026 duhet të ndodhë e do të ndodhë në shkallën e dytë në Apel, e kjo do të jetë diku në vitin 2027”, tha Kurti.
Ai tha se nga pakënaqësia lidhur me atë aktgjykim, erdhi “shkrimi i shpejtë” i ligjit të ri për Specialen.
“Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton qëllimi i mirë. Duhet edhe të kemi sukses. Duhet të dalim fitimtarë. E për këtë na duhet një ligj i cili nuk kthehet mbrapshtë, nuk anulohet, i cili ka efekt në realitet, në praktikë më pastaj”, tha ai.
Kurti tha se pret që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjell draftin e parë.
“Natyrisht që janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta ekspertë juridikë po e ndihmojnë grupin punues dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme”, tha ai.
Nga këta ekspertë, Kurti tha se pret gjithashtu një “draft të ri të një ligji të ri për Dhomat e Specializuara”, ashtu që, siç tha, “përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vijë për diskutim dhe për miratim”.







