Ankesë

“Kujtesa” nuk e lejon qytetarin ta shkëpus kontratën, edhe pse MINT-i ka marrë vendim që i obligon operatorët kabllor për një gjë të tillë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në muajin shkurt të këtij vitit njoftoi konsumatorët që mund t’i shkëpusin kontratat e tyre me operatorët kabllorë, nëse këta të fundit nuk i kanë përmbushur obligimet sipas kontratës.

Ky vendim i MINT-it, kishte ardhur pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ( MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit, lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllor që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës, nëse operatori nuk ka arritur të përmbush obligimet sipas kontratës. Detyrimi që iu është vënë konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të kontratës edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/ kanaleve, është në kundërshtim me nenin 72, paragrafi 1, nën paragrafi 1.15 i Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku specifikohet që Kushtet të cilat konsiderohen si të padrejta janë ato kushte të cilat kanë qëllimin apo efektin e: Detyrimit të konsumatorit që të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kur shitësi ose furnizuesi nuk i përmbush obligimet e tij”, thuhej në njoftim e MINT.

Mirëpo, këtë vendim të MINT-it duket se nuk janë duke e përfillur disa nga operatorët kabllorë.

Një qytetar, emër i njohur për redaksinë, nga Mitrovica ka treguar për Ballkani.info se operatori kabllorë “Kujtesa” nuk e ka lejuar ta shkëpus kontratën.

“Në ofertën të cilën e kam të nënshkruar me ‘Kujtesën’, të gjitha programet e

‘Digitalb’-it kanë qenë, por pas shkëputjes së kontratës me ‘Digialb’, janë larguar programet për të cilat kam paguar. Prandaj kam dashur ta shkëpus kontratën”, ka thënë ky qytetar.

Mirëpo, sipas tij, “Kujtesa” nuk ia ka mundësuar shkëputjen e kontratës, duke i kërkuar pagesë shtesë.

Kujtojmë që operatori “Kujtesa”, në muajin janar të këtij viti kishte ndërprerë sinjalin e kanaleve shqiptare si Top Channel, TV Klan dhe atyre të “Digitalb” pa asnjë paralajmërim për konsumatorët e platformës së tyre.

Kurse, më 19 janar të vitit 2024, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), kishte dënuar katër shpërndarësit e rrjetit kabllor në Kosovë me 100 mijë euro. Operatori “Artmotion” ishte dënuar me 64 mijë euro, “Kujtesa” me 26 mijë euro, “IPKO” me 7 mijë euro dhe “Telkos” me 3 mijë euro. /Ballkani.info/