Andrej Plenkoviq

Kryeministri kroat: Asgjë e re në deklaratën e Dodikut për shkëputjen e Srpska-s, është vazhdimësi e asaj që ndodhi në Kosovë tre muaj më parë

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq tha se kërcënimet e liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik për shkëputje nuk janë asgjë e re, pasi tendencat separatiste-shkëputëse brenda Republika Srpska kanë vazhduar prej vitesh dhe përsëriti se Kroacia mbështet Bosnjën dhe Hercegovinën integrale dhe rrugën e saj drejt Evropës.

“Ka tendenca separatiste-secesioniste brenda Republika Srpska që kanë vazhduar për vite me radhë. Nuk është asgjë e re, ne kemi folur për këtë gjatë dhjetë viteve të fundit (…) Mua, kjo më duket si gjithçka që kemi parë më parë”, tha Plenkoviq në mbledhjen e qeverisë kroate. Ai vuri në dukje, megjithatë, se ka edhe “prirje për centralizim më të fortë, unitarizimin e vendit që vijnë nga disa parti boshnjake”.

“Dhe ju keni një koncept të mbrojtur më së shumti nga partitë politike kroate, i cili bazohet në barazinë e të tre popujve përbërës, ku për mendimin tim kroatët janë ata që janë më të interesuarit dhe më të angazhuarit në rrugën evropiane të vendit, që ne besojmë që është mirë për të tre popujt dhe ne do të mbështesim”, tha kryeministri kroat, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, deklaratat e Dodikut janë një “përsëritje”, ndonëse, siç tha ai, nuk duhet nënvlerësuar konteksti më i gjerë politik.

“Pra, në këtë pikë, pa nënvlerësuar këtë kontekst më të gjerë – agresionin rus kundër Ukrainës, sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit, reagimin izraelit dhe konfliktin e vazhdueshëm, intensitetin e migrimit të paligjshëm që është më se i dukshëm, paqëndrueshmërinë më të gjerë që ekziston në pjesë të kontinentit afrikan – gjithçka reflekton në Evropë, duke përfshirë këto tensione që patëm në Kosovë tre muaj më parë. Këto janë të gjitha gjëra që nuk duhen nënvlerësuar”, tha Plenkoviq.

​Por Kroacia, përsëriti kreu i qeverisë, “mbështet të gjithë BeH që të shkojë drejt Evropës, të stabilizohet, të funksionojë, të mos ketë tensione dhe konflikte. Ky është qëllimi ynë, kjo është politika jonë, konsistente”, tha kryeministri Plenkoviq.

Çfarë tha Dodik sot?

Le të kujtojmë, Dodik në një intervistë për Televizioni e RS-së (RTRS) kërcënoi se shkëputja, pra shpallja e një RS të pavarur, do të pasonte në të njëjtin moment kur Përfaqësuesi i Lartë për BeH, Christian Schmidt do të autorizonte përfundimisht një ligj që zgjidh statusin dhe të drejtën e disponimit të pronës shtetërore.

Ai thotë se ka informacione se një vendim i tillë mund të pasojë në muajin janar dhe ka paralajmëruar se në atë rast Kuvendi i RS-së do të mblidhet menjëherë dhe do të shpallë shkëputjen. Ai shpjegoi se kjo do të thotë “pavarësi (nga Bosnja dhe Hercegovina) në çdo gjë”, ku RS nuk do të pengojë kalimin nëpër territorin e saj, domethënë të vendosë një kufi “të vështirë” drejt Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, por do ta bëjë këtë nëse e nevojshme.

“Ne nuk presim që dikush nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës të inkurajohet për të sulmuar RS. Dhe në rrethana të tilla, ne do të vlerësojmë se si do të veprojmë. Unë pres që EUFOR të qëndrojë në vijën ndër-entitetesh dhe të parandalojë kontaktet”, tha ai.

“Amerikanët do të zemërohen”

Ai vlerësoi se në një skenar të tillë “amerikanët do të tërbohen dhe do të përpiqen të kërkojnë ndërhyrje”, por beson se miqtë e RS-së nuk do ta lejojnë. Ai nuk sqaroi se cilët miq e kishte fjalën, por dihet se përveç Beogradit, Dodik aktualisht ka miq vetëm në Moskë dhe Budapest sepse ka marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Nga janari i vitit pasardhës, është Hungaria ajo që merr nga Austria komandën e forcave ushtarake të Bashkimit Evropian në BeH (EUFOR), detyra e të cilave është parandalimi i konflikteve të mundshme të armatosura, por edhe garantimi i lirisë së lëvizjes nëpër BeH, pasi kjo është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Dejtonit.

Vetë përfaqësuesi i lartë nuk e ka përmendur mundësinë e vendosjes së ligjeve për pronën shtetërore dhe vazhdimisht ka theksuar se kjo është obligim dhe përgjegjësi e autoriteteve në BeH. Aktualisht, Schmidt planifikon të vendosë vetëm ndryshime teknike në ligjin zgjedhor të BeH në rast se gjatë janarit parlamenti i BeH nuk merr vendime që do të siguronin integritetin e procesit zgjedhor.​ /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Pas fitores së Vuçiqit platforma ‘bota serbe’ kërcënon seriozisht Ballkanin