Këshilli i Evropës

A mund të pengohet Kosova për anëtarësim nga Serbia në KiE? Reagime nga ish-diplomatë e deputetë nga Evropa

Në kohën kur po afrohet muaji maj kur ministrat e Këshillit të Evropës pritet të votojnë për ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, janë shtuar edhe lobimet dhe kërkesat e Serbisë kundër Kosovës.

Madje Serbia ka bërë edhe një ekip shtetëror për këtë.

Në ndërkohë ‘lufta’ diplomatike po vazhdon për sigurimin e votave, janë shtuar edhe kërkesa evropiane ndaj Kosovës për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas shumë diplomatëve kjo temë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para se të bëhet votimi në mesin e muajit maj.

Në anën tjetër ka reagime të shumta sa i përket lobimit nga Serbia dhe rreshtimit të saj pro Rusisë e Kinës.

Analistja amerikane Ivana Stradner ka shkruar në platformën X se “lëreni presidentin e Serbisë Aleksadar Vuçiqin të shkojë drejt BRICS”.

“Kujt i intereson. Lëreni të shkojë. Aleksandar Vuçiq ka nevojë për ju më shumw se ju për të. Ky është vetëm shantazhi i tij i fundit. Së pari me Rusinë tani me Kinën. Investoni në vendet e tjera të rajonit – vendosni viza dhe izoloni Vuçiqin dhe regjimin e tij”, ka shkruar ajo, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu për këtë ka reaguar edhe ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vllahutin.

“E dashur BE, kush brengoset. Lëreni të shkojë. Serbia ka nevojë për BE-në, jo anasjelltas. Mos ndihmoni dhe përkrahni nxitësit e të gjitha telasheve në Ballkanin Perëndimor. Miliarda para të taksapaguesve të BE-së të humbura për ‘zbutjen’ e regjimit në Serbi mund të përdoren shumë më mirë, duke filluar me mbrotjen evropiane”, ka shkruar ajo.

Ndërsa deputeti gjerman në Parlamentin Evripian, Reinhard Bütikofer ka deklaruar se do të ishte e tmerrshme të lejohet që Serbia të bënte bllokimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.

“Do të ishte e tmerrshme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, nëse BE-ja do ta lejonte Serbinë të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërkohë që vetë Serbia fillon udhëtimin drejt BRICS. Liderët e BE-së duket se janë ‘në gjumë’! Zgjohuni! Na duhet një kthesë në relacionin Serbi/Kosovë”, ka shkruar ai.

Ndrysne kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapa konkret për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.