Rrezarta Krasniqi

Krasniqi publikon një grafikon: Raporti i KE-së për Kosovën me gjetje të zymta, ndër më të dobëtit në rajon

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropianë dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi sërish ka adresuar të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për vendet e rajonit.

Krasniqi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova qëndron ndër vendet më të dobëta sa i përket fushave të mbuluara nga raporti.

Krasniqi thotë se gjetjet janë të zymta sidomos në fushën e administratës publike, gjyqësorit dhe të drejtave themelore, funksionimit të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, lirisë së shprehjes, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale, dhe kapaciteti për të përballuar presionin konkurrues, statistikat dhe kontrolli financiar.

Ajo e konsideron esenciale që qeveria t’i trajtojë mangësitë dhe t’i japë përparësi zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse për korrigjimin e mangësive të identifikuara.

“Si kryetare e këtij komisioni parlamentar, i bëj thirrje qeverisë që të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të çuar përpara agjendën evropiane. Kjo nuk është vetëm çështje e përmbushjes së kërkesave të BE-së, por edhe një përkushtim për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës.”, tha ajo.

Postimi i plotë:

Si kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, e konsideroj që është me rëndësi të trajtoj raportin e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian.

Raporti i Vendit, ndër të  tjera, shpërfaq disa mangësi alarmante që kërkojnë vëmendje dhe veprim të menjëhershëm.

Fatkeqësisht, Kosova, kur krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, del si një nga vendet më të dobëta në pothuajse të gjitha fushat e mbuluara nga raporti.

Gjetjet janë të zymta, veçanërisht në fushën e administratës publike, gjyqësorit dhe të drejtave themelore, funksionimit të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, lirisë së shprehjes, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale,  dhe kapaciteti për të përballuar presionin konkurrues, statistikat dhe kontrolli financiar.

Është esenciale që qeveria t’i trajtojë këto mangësi dhe t’i japë përparësi zhvillimit të strategjive dhe politikave gjithëpërfshirëse për të korrigjuar mangësitë e identifikuara.

Si kryetare e këtij komisioni parlamentar, i bëj thirrje qeverisë që të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të çuar përpara agjendën evropiane. Kjo nuk është vetëm çështje e përmbushjes së kërkesave të BE-së, por edhe një përkushtim për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës.

Legjislacioni i ri për zyrtarët publikë dhe pagat u miratua nga Kuvendi duke përdorur procedura të shpejta. Ligji për pagat është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ndryshuar për zyrtarët publik rrezikon të krijojë dhe përkeqësojë boshllëqet ekzistuese në kapacitetet administrative.

Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht.

Lidhur me lirinë e shprehjes, shqetësimet mbeten në lidhje me sulmet dhe kërcënimet fizike, fushatat e shpifjeve publike dhe gjuhën e urrejtjes, duke përfshirë këtu edhe skandalin nga Qeveria e Kosovës e cila kishte marrë vendim për mbylljen e TV Klan Kosova, bazuar në një vendim të ARBK-së.

Qeveria duhet të angazhohet për të adresuar këto sfida, duke punuar në bashkëpunim me akterët përkatës. Aspiratat e Kosovës për integrim evropian janë të kushtëzuara nga përparimi i dukshëm në këto fusha kyçe dhe është detyra jonë të sigurojmë që reformat e nevojshme të zbatohen shpejt dhe në mënyrë efektive.