Bahri Shala

Kosova për herë të parë me databazën për viktimat e trafikimit

Ministria e Punëve të Brendshme për herë të parë ka lansuar data-bazën e të dhënave për viktimat e trafikimit, e cila do të shërbejë për të gjitha institucionet për të paraqitur rastet e trafikimit, për mbledhjen e tyre dhe analizën për të luftuar trafikimin njerëzor.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se ndëshkimi i kryerësve të veprave të trafikimi njerëzor, është përgjegjësi sociale dhe sot për herë të parë Kosova përmban një bazë të dhënave për të menaxhuar këto raste deri në identifikimin e tyre.

“Trafikimi me njerëz siç e dini ju është një shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut që shkel vlerat themelore të një shoqërie demokratike, është e vërtet që ne si Kosovë kemi marrë obligime karshi bashkësisë ndërkombëtare në përmbushjen e standardeve që dëshmojnë që jemi të gatshëm të jemi pjesë e integruar e Bashkimit Evropian, e organizmave ndërkombëtare, gjë të cilën tashmë e kemi dëshmuar. Puna jonë e pa ndalur në këtë fushë nuk është vetëm përmbushje kritereve por është përgjegjësi sociale, është obligim që e kemi t’i mbrojmë fëmijët, të mbrojmë të drejtat dhe lirit fondamentale të njeriut, t’i ndëshkojmë kryesit e veprave dhe të ofrojmë shërbimet më të mira të mundshme për viktimat deri në riintegrimin e tyre.03:31 Sot po bëhemi vendi i parë në rajon me një bazë të dhënave ndërinstitucionale, një mjet thelbësor që do të mundësoj mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave kyçe për hartimin e politikave strategjike në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz dhe ofrim cilësor të shërbimeve të viktimave të prekura. Baza e të dhënave e rregulluar me udhëzim administrativ do të na mundësoj gjenerimin e të dhënave të detajuara, identifikimin e trendeve dhe tendencave, identifikimin e hapësirave për intervenim dhe përmirësimin, por në të njëjtën kohë do të mbrojë identitetin e viktimave dhe do të ofrojë rekomandime për përmirësimin e shërbimeve në përputhshmëri me të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane”, tha Gashani.

Nga Policia e Kosovës, nënkoloneli Bahri Shala, u shpreh se policia deri më sot është marrë me raste të viktimave të trafikimit, pa pasur një data-bazë. Ai tha se me posedimin e data-bazës nga sot policia e Kosovës do të ketë një pasqyrë të këtyre rasteve në mënyrë për të ndërmarrë masa të parandalimit.

“Trafikimi me njerëz është një ndër krimet më të rënda dhe më komplekse dhe si i tillë cenon sigurinë e viktimave e po ashtu edhe në sigurinë dhe imazhin e përgjithshëm të një vendi. Fatkeqësisht ky krerë ka prekur edhe vendin tonë Kosovën dhe duke marrë parasysh rrezikun dhe pasojat që vinë nga kjo dukuri negative, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa adekuate në aspektin organizativ dhe të ngritjes se kapaciteti të saj me qëllim të parandalimit të trafikimit me njerëz, mbrojtjes së viktimave, hetimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre veprave penale… Në frymën e kësaj është edhe baza e të dhënave që po lansohet kjo nënkupton që ne si polici nuk kemi poseduar të dhëna për këto raste, por një bazë e të dhënave e avancuar që përfshin të gjitha institucionet, do të shërbej në shumë dimensione e në veçanti do të kontriboj në hartimin e objektivave strategjike, pasi që do te kemi një pasqyre dhe analizë më të saktë se cilat janë grupet më të cenueshme”, tha Shala.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan u shpreh se Këshilli i Evropës do t’u ofrojë ndihmë në vazhdimësi institucioneve të Kosovës për të hetuar rastet e trafikimit të njerëzve. Ai shtoi se zhvillimi i data-bazës për të dhënat e trafikimit është një hap përpara për këtë çështje.

“Si Këshill i Evropës, ne u ofrojmë ndihmë institucioneve të Kosovës në përpjekjet e tyre për të parandaluar, hetuar dhe ndjekur trafikimin e qenieve njerëzore në përputhje me konventën evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Në këtë rrugëtim, projekti ynë për rritjen e veprimeve kundër trafikimit ka ofruar ekspertizë teknike për të përmirësuar kuadrin normativ, për të përmirësuar përgjigjet e drejtësisë penale, për të forcuar mbrojtjen e viktimave dhe për të kryer fushata informuese, veçanërisht për të miturit. Zhvillimi i bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit është një hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim. Ne besojmë se Kosova tani është më e barabartë me monitorimin e tendencave në zhvillim, identifikimin e sfidave të reja dhe hartimin e strategjive afatgjata, politikat e synuara dhe modalitetet efektive të bashkëpunimit për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore “, potencoi Soykan.

Zhvillimi i bazës së të dhënave është financuar nga projekti “Forcimi i veprimeve anti-trafikim”, zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe bashkëfinancuar nga Belgjika, Gjermania, Irlanda, Norvegjia dhe Këshilli Evropës