Konsulenti i Osmanit i jep leksione Shqipërisë në politikë të jashtme, punët llugë në vendin e vet

Përderisa flitet për një ftohje marrëdhëniesh mes Kosovës dhe ShBA-së e BE-së, një konsulent (por edhe ekspert) i Presidencës së Kosovës ka gjetur kohë të flasë për marrëdhënien “normale” që duhet ta ketë Kosova me Kinën. Për më shumë, ky ekspert, që Presidenca i referohet si konsulent i një OJQ-je, i dha pak leksione diplomatike edhe Shqipërisë.

Bekim Sejdiu, profesor në UP e ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka një kohë që është pjesë e universit të këshillëdhënies. E gjitha filloi si një punë “konsulence” për Presidencën e Kosovës, ku shefe është presidentja Vjosa Osmani. Në projektin e financuar nga Ambasada e Norvegjisë, Sejdiu është i angazhuar si ekspert për çështje kushtetuese-juridike.

Por duket se z.Sejdiu, ligjërues në UP, i ka paksa merak edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe më konkretisht diplomacinë. Ai nuk ka ngurruar të japë ca mendime për diplomacinë në një status në “Facebook”.

Ndonëse si ekspert e “këshillon” Presidencën e Kosovës, ai i ka ofruar “falas” (pro bono – siç pandehim që juristi Sejdiu do t’i referohej termit falas) ca margaritarë prej këshille Shqipërisë. Po, po, Republikës së Shqipërisë. Jo Republikës së Kosovës që po “bombardohet” me kritika nga aleatët e saj për çështjen e targave e Asocacionit.

Statusi…

Nuk po flasim për statusin e Kosovës, por të z. Sejdiut. Konsulenti dhe eksperti i jashtëm i Presidencës Osmani ka shkruar një status të gjatë. Burimi i statusit, siç kuptohet nga vetë shkrimi, ishte një dokumentar i Radio Televizionit të Shqipërisë rreth marrëdhënieve mes Shqipërisë së ish-diktatorit Enver Hoxha dhe Republikës Popullore të Kinës.

Z. Sejdiu e shprehu publikisht mospëlqimin (nëse jo mosdurimin) me përmbajtjen e dokumentarit. Gjatë elaborimit të mendimit të tij, Sejdiu, konsulent dhe ekspert i Presidencës, “shkepi pa pare” këshilla për Shqipërinë.

Argumente dhe hipoteza si ajo se “marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Shqipërisë kanë bazament historik”, duke u referuar në sponsorizimin nga ana e Shqipërisë komuniste e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të vitit 1971, që zëvendësoi Republikën e Kinës (Tajvanini) në OKB, me Republikën Popullore të Kinës (Kinën e Mao Ce Dunit), nuk është episod me të cilin Shqipëria duhet të mburret. Të paktën jo sot. Atëbotë, SHBA dhe Japonia kishin propozuar një përfaqesim dual të Kinës në OKB; Kina Komuniste (Republika Popullor e Kinës) dhe Kina nacionaliste (Republika e Kinës, apo Tajvani i sotëm). Por, ai propozim i SHBA dhe Japonisë nuk qe pranuar nga kampi anti-Perëndimor, ku bënte pjesë, me një protagonizëm qesharak, edhe Shqipëria Enveriste”- shkroi ndër të tjera z. Sejdiu në postimin e plotë.

Në një kohë kur flitet për një çarje në marrëdhëniet mes Kosovës e ShBA-së, konsulenti i Presidencës zgjodhi që ta komentonte marrëdhënien që duhet ta kenë Kosova e Shqipëria me Kinën. Ai shkroi se Shqipëria e Kosova kanë interes të kenë marrëdhënie normale me Kinën, ndonëse nuk shpjegoi se ç’nënkupton ky “normalitet marrëdhëniesh”.

Po kthehem tek e para, Shqipëria (sikurse edhe Kosova) ka interes të ketë marrëdhënie të paktën normale me Kinën.

Por, është e shëndetshme me i kursy emocionet, sepse po mbetemi pa to duke i shpërndarë në shumë drejtime”- shkroi tutje ai.

Por edhe një paragraf ishte më rëndësi në këtë status, që për burim duket ta ketë irritimin me dokumentarin. Z. Sejdiu pati një këshillë jashtëzakonisht të qëlluar, që nuk dihet nëse të njëjtën ia ka ofruar presidentes Osmani, shkruan Nacionale.

Shtetet e vogla duhet të shmangin rrezikun e te qenit irritues ne marredheniet ne mes te fuqive te medha dhe ky është mësimi themelor për shtetet e vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shtetet e vogla, mjafton të dinë ku të rreshtohen dhe të qëndrojnë në rresht, pa ekuivoke, kalkulime apo mëdyshje ideologjike apo gjeo-politike”- këshilloi publikisht konsulenti Sejdiu.

Në një përgjigje të mëhershme, Sejdiu kishte pranuar se ishte angazhuar si konsulent/ekspert në Presidencën e Kosovës, duke sqaruar se ai nuk ishte pjesë e Kabinetit të Osmanit.

Unë jam angazhuar si konsulent/ekspert nga Grupi për Studime të Politikave Ballkanike(BPRG) në një projekt të Ambasadës së Norvegjisë, që ka për objektiv forcimin e kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës. Angazhimi është për një periudhë të caktuar dhe me një numër të kufizuar ditësh gjatë muajit. Aktualisht, unë me një kolegë tjetër jemi angazhuar si konsulent/ekspert tek Presidenca e Republikës së Kosovës, por punëdhënësi ynë është BPRG/projekti i Ambasadës së Norvegjisë”- ishte përgjigjur z. Sejdiu për medie në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa z. Bekim Kupina, zëdhënës i Presidencës, konfirmoi se Sejdiu “është i angazhuar me projekt të Ambasadës Norvegjeze”. Por z. Kupina çuditërisht këmbënguli se ai është konsulent në “Balkan Policy Research Group“, OJQ e njohur kosovare që ka një memorandum bashkëpunimi edhe me Qeverinë Kurti.

Por Sejdiu është parë në disa takime të Osmanit në Presidencë. Madje ai mori pjesë edhe në takime të ndryshme të Osmanit me udhëheqës të huaj, si p.sh. ky me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, takim i realizuar më 7 tetor të këtij viti.

Për më shumë, Sejdiu është parë në vizita “turisitike” nëpër Kosovë edhe me këshilltarët e Osmanit, por jo me z. Kupinën.

Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në lëndën që e shpalli Qeverinë Hoti si anti-kushtetuese.