Kërkesat

Kërkesat që patën për Kosovën ambasadorët Hovenier e Rohde

Kërkesa për Kosovën kanë bërë të hënën përfaqësuesit diplomatikë. Gjatë një konference njëditore të mbajtur në Prishtinë, udhëheqësve shtetërorë u është kërkuar që t’i dëgjojnë këshillat që u jepen e t’i zbatojnë obligimet e marra në dialog. Por në konferencë pati kritika edhe për BE-në si ndërmjetëse

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, iu ka kërkuar liderëve të Kosovës që t’i marrin parasysh këshillat që u jepen.

Hovenier në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, tha se duan të shohin përparim të Kosovës në rrugën evropiane.

Sipas tij, e vetmja mënyrë është përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë progresin e Kosovës, nuk do ta sfidojë këtë si mundësi. Ajo që mund të them është strategjia më e mirë në rrethana të tilla për Kosovën është të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm, kreativitet, energji, përkushtim dhe implementim të obligimeve të cila i ka marrë që i ndihmojnë procesit për të shkuar përpara”, theksoi Hovenier.

Zbatimin e obligimeve të marra e ka kërkuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“ShBA nuk mund të vendos kush mund të jetë shtet anëtar i BE-së. NATO e ka rolin e vet dhe duam ta avancojmë, por duam t’i ndihmojmë Kosovës, por duam që edhe Kosova të na ndihmojë përmes argumenteve të mira, shmangies së rrethanave se si të jesh një avokat efektiv. Shpresa ime është që qeveria do të dëgjoj këshillat e dhëna”, theksoi ai.

E eurodeputeti Lukas Mandl, duke folur për procesin e dialogut, u shpreh se duhet ndërmjetësim më i mirë nga Bashkimi Evropian.

“U takon partnerëve brenda dialogut që të diskutojnë siç duhet dhe të arrijnë rezultate, por moderimi nga ana e BE-së mund të jetë më i mirë dhe duhet të jetë më i mirë dhe natyrisht, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të bëhet më i mirë. Unë do të punoj në mënyrë parlamentare mbi rekomandimet për Komisionin Evropian për të vendosur një moderim më të mirë për këtë proces”, deklaroi ai.

Konferenca 1-ditore u organizua nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë me mbështetjen e FES-it.

Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO në këtë panel foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo u shpreh optimiste se deri në vitin 2030, Republika e Kosovës do të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

“Është shumë pyetje e vështirë kjo, sepse nuk varet vetëm nga Kosova se ku do të gjendemi në vitin 2030. E di që deri në atë vit shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe projektimet tona më të mira mund të ndodhin deri atëherë. Për shembull duhet të kemi një gjuhë të qartë dhe pengesa për ata që e pengojnë rajonin tonë.

Pra, të gjithë në çfarë mënyre, partnerët tanë, miqtë tanë që do të jenë të pranishëm në rajon duke dhënë sinjale të duhura që luftërat në të ardhmen nuk do të tolerohen, por për t’i parandaluar duhet të veprojmë me të tashmen përndryshe do të jemi në të njëjtën pozitë sikurse në vitet 90’ dhe nëse nuk përdorim parandalimin atëherë do të jemi tepër të zënë për të gjetur strategjitë e duhura për të përfunduar diçka që do të mund ta parandalonim lehtë po të kishte vullnet të mirë, analizë dhe persona të duhur. Ne në vitin 2030, në NATO dhe në BE”, theksoi Gërvalla.

VIDEO BONUS: Konjfuca: Qeveria mund ta propozojë një darftstatut të Asociacionit