Ish çifti shqiptar që bënte “biznes” me dhimbjen e vajzave, prokuroria kërkon 15 vite burg

Prokuroria e Durrësit ka dhënë pretencën për ish-bashkëshortët Aleko Perlesi dhe Drane Kola nga Shijaku, të cilët akuzohen se kanë vënë pasuri të konsiderueshme përmes shfrytëzimit prostitucionit.
Në dosjen e plotë të organit të akuzës së qytetit bregdetar, të siguruar nga “Gazeta Shqiptare” mësohet se ndaj ish-çiftit rëndon akuza “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq, prokuroria bën me dije se Aleko Perlesi është proceduar penalisht më 11 tetor të 2013-ës. Në dosje thuhet se me paratë e fituara nëpërmjet shfrytëzimit të prostitucionit ai ka blerë apo po ndërton prona të paluajtshme në zonën e Durrësit dhe i ka vendosur në emër të pandehurës Drane Kola, ish-bashkëshortja e tij. Në pretencën e saj, prokuroria kërkon shpalljen fajtor të dy shtetasve në fjalë si dhe dënimin e tyre në total me 15 vite burg.
DOSJA E PLOTË E PROKURORISË

Prokuroria e Durrësit, në mbështetje të nenit 378/1 të Kodit të Procedurës Penale i paraqiti Gjykatës konkluzionet përfundimtare për çështjen penale nr.48 të vitit 2014. Çështja penale për akuzat “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga neni 287/2 germat “b” dhe “c” të Kodit Penal është në ngarkim të të pandehurve Aleko Perlesi dhe Drane Kola.

Procedimi penal filloi pas kallëzimit të shtetases Q.P. (M) më 11 tetor 2013 ndaj të pandehurit Aleko Perlesi, sipas të cilit ky i fundit me paratë e fituara nëpërmjet shfrytëzimit të prostitucionit ka blerë apo po ndërton prona të paluajtshme në zonën e Durrësit dhe i ka vendosur në emër të të pandehurës Drane Kola, ish-bashkëshortja e tij.

I pandehuri Aleko Perlesi, me vendimin nr.146, dt.15.03.2007 të Gjykatës Durrës u dënua me 4 vjet e 8 muaj burg për “Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese” sipas nenit 114/a/2,5 të K.Penal, në dëm të shtetasve V.P., E.M.,K.D, etj.

Ky procedim penal ndaj të pandehurit Aleko Perlesi ka filluar mbi bazën e letërporosisë së autoriteteve gjyqësore franceze, të cilët nga ana e tyre kishin filluar hetime për veprimtarinë e shfrytëzimit të prostitucionit në zonën e Nancy në Francë të disa femrave shqiptare dhe rumune nga Aleko Perlesi me djemtë e tij, Dritan dhe Xhevahir Perlesi. Sipas vendimit të gjykatës, një vajzë e re ka denoncuar ekzistencën e një rrjeti të gjerë prostitucioni shqiptar e rumun, të vendosur në zonën e Nancy në Francë, por të shtrirë edhe në qytete të tjera si Avignon, Lyon dhe Toulouse.

Ky grup drejtohej nga familja Perlesi dhe Mehmet Ademov. Po sipas vendimit të gjykatës, V.P., E.M., K.D. kanë qenë prostituta në Francë që nga viti 2002 për llogari të “klanit” Perlesi, por duke u implikuar edhe në organizimin dhe kontrollin e prostitutave të tjera për llogari të klanit familjar.

Nga ekzaminimi i parave të dërguara me “Ëestern Union” në 2002-2005 nga shtetaset e mësipërme, rezulton se përfitues i shumave të parave është edhe i pandehuri në atë gjykim, Aleko Perlesi. Prokuroria Durrës kërkoi që lidhur me masën e dënimit për Drane Kolën të marrë parasysh rrezikshmërinë mesatare të veprës penale dhe rrezikshmërinë mesatare të autorit të saj, faktin se e pandehura Drane Kola është person me personalitet të pastër juridik.

Në lidhje me masën e dënimit për Aleko Perlesin iu kërkua gjykatës nga prokuroria Durrës që të marrë parasysh rrezikshmërinë mesatare të veprës penale dhe rrezikshmërinë mesatare të autorit të saj faktin se i pandehuri Aleko Perlesi është person përsëritës i dënuar më parë nga gjykata. Kështu që Prokuroria Durrës i kërkoi gjykatës:

• Deklarimin fajtor të pandehurës Drane Kola për veprën penale: “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim në kuadrin e fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale si dhe fitim i pronësisë duke ditur që në çastin e marrjes në dorëzim që kjo pasuri është produkt i veprës penale, vepër kjo e parashikuar nga neni 287/2 germa “b” dhe “c” të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 7 vjet burgim.

• Deklarimin fajtor të pandehurit Aleko Perlesi, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim në kuadrin e fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale si dhe fitim i pronësisë duke ditur që në çastin e marrjes në dorëzim që kjo pasuri është produkt i veprës penale, vepër kjo e parashikuar nga neni 287/2 germa “b” dhe “c” të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim.

• Duke u referuar dhe vendimit gjyqësor nr.8 datë 14.6.2016 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë si dhe të vendimit gjyqësor nr.324 datë 19.4.2014 dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me objekt vendosje të masës së sigurimit pasuror u kërkua nga gjykata konfiskimi i:

• a) Pasurisë nr.12/40, tokë arë 420 m2 në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

• b) Konfiskimin e Pasurisë nr.27/44, tokë arë 2930 m2, në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

• c)Konfiskimin e Pasurisë nr.27/20, tokë arë 2750 m2, në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

• d) Heqjen e sekuestros për llogaritë bankare në Bankën Kombëtare Tregtare në emër të shtetasve Drane Kola, Athina Perlesi dhe Valbona Perlesi.

• Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve në shumen 5.000 lekë t’i ngarkohen solidarisht të pandehurve: Drane Kola dhe Aleko Perlesi.

KËRKESA PËR KOFISKIMIN E PASURISË SË SHTETASES DRANE KOLA

a) Pasurisë nr.12/40, tokë arë 420 m2 në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

b) Konfiskimin e pasurisë nr.27/44, tokë arë 2930 m2, në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

c)Konfiskimin e Pasurisë nr.27/20, tokë arë 2750 m2, në Rreth, Shijak në emër të shtetases Drane Kola.

d) Heqjen e sekuestros për llogaritë bankare në Bankën Kombëtare Tregtare në emër të shtetasve Drane Kola, Athina Perlesi dhe Valbona Perlesi.