Holanda

Holanda e nis me fitore Evropianin, triumfon me rikthim ndaj Polonisë

Kombëtarja e Holandës e ka nisur mbarë Kampionatin Evropian “Euro 2024”, duke triumfuar ndaj Polonisë.

Edhe pse ishin në disavantazh prej 1:0, holandezët arritën të bëjnë përmbysje në 1:2 për t’i arkëtuar pikët e plota.

Holanda e nisi shumë më mirë duke krijuar raste të njëpasnjëshme, mirëpo si Depay ashtue dhe Reijnders dështuan t’i finalizonin.

Kur askush s’e priste, Piotr Zielinski harkoi për mrekulli te Adam Buksa që realizoi me kokë për të kaluar Poloninë në epërsi (20’).

Pas kësaj, Holanda mori krejtësisht lojën në dorë. Me aksione të shumta, arritën ta barazonin përmes Cody Gakpos, i cili realizoi supergol nga distanca (29’).

Pjesa e dytë ishte më e barabartë, ku Polonia rrezikoi me Kiwior, derisa Holanda tentoi me Simons por asnjëra s’arritën ta finalizojnë.

Heroi i Holandës doli të jetë i inkuadruari Wout Weghorst, që shënoi nga afërsia pas një asistimi fantastik të Nathan Akes (83’).

Kështu, Holanda bëhet lider në grupin D me tre pikë, derisa Polonia në fund. Në këtë grup ndodhen edhe Franca e Austria.